EKSKLUZIVE/ Rivënia në skenë e 'Prefektit', reagon familja Mulleti, pasardhësja i hedh kunja organizatorëve

Ditët e fundit ka pasur një zhurmë në rrjete sociale për rikthimin e komedisë ‘Prefekti’ në Teatrin Turbina.

Shoqata Tirana në faqen e saj zyrtare në Facebook ka kërkuar që kjo shfaqje të tërhiqet, por gjithashtu ka pasur dhe një reagim nga pasardhësit e Qazim Mulletit.

Dhe për të foluar në lidhje me këtë reagim ishte e ftuar në një rrëfim eksekluziv për ‘Kafe shqeto’ në SYRI.TV pasardhësja e Qazim Mulletit,  Besforta Mulleti.

Flavio: Le ta fillojmë nga pjesa e fundit znj.Mulleti. E dimë trajtimin që i kanë bërë figurës së Qazim Mulletit tek flmi dhe vepra ‘Prefekti’. Ka pasur një kërkesë ndjese nga ana e z.Ndrenika , potretizuesi origjinal të tij, ndërkohë nga aktori Arben Derhemi që do të luajë rolin e ‘Prefektit’ në këtë rikthim të komedisë nuk ka pasur një reagim, përveç disa zërave të teatrit të cilët thonë e kemi rivizituar veprën po e sjellim në një këndvështrim tjetër, por nuk e dimë akoma nëse është ky këndvështrim i ri për veprën për shfaqjen apo për figurën e Qazim Mulletit.I keni parë këto reagime?

Mulleti: I kam parë këto reagime shkurtazi në rrjete sociale në Facebook ku është ngritur dhe si çështje. Para pak minutash replikova dhe në Facebook sepse dalloj disa tone të ashpra si nga ana e z.Derhemit dhe nga z.Çuli. Ne po bëjmë një kritikë në fund të fundit. Duke qënë se ato janë artistë ata duhet të jenë më të hapur se ne, përsa i përket kritikave për më tepër kur ato janë konstruktive. Tani ato kapën pas fjalësh, thonë: Pse thoni shfaqje? Kjo nuk është një shfaqje, kjo është një lexim i një vepre. Kjo është një risjellje në një format tjetër që përpiqet që ta sjell Qazim Mulletin dhe ta ilustrojë figurën e tij ashtu siç ai ishte në të vërtetë. Por nëse shohim sloganin e kësaj shfaqje dhe vetë sfondi, përzgjedhja e ngjyrave, fakti që aty qëndron autor Besim Levonja, mua nuk më ngjall ndonjë ndjesi tjetër, mua thjesht më rikujton ndjesinë e shfaqjes së komedisë ‘Prefekti’ si njëherë e një kohë. Mbase është një marketing i keq që i është bërë shfaqjes , mbasi duhej sjellë në një format tjetër, duhej insistuar në faktin që kjo vepër kërkon të sjellë Qazim Mulletin ashtu siç ishte ai në të vërtetë, por që mua thjesht kjo që po shikoj tani, sfondi i zi, këto shkronja kështu, më kujtojnë të njejtën shpallje si në kohën e diktaturës. Edhe silueta e Arben Derhemit që ngjason pak dhe me atë të Qazim Mulletit, ju thatë të Robert Ndrenikës por unë po them të Qazim Mulletit, sado që unë dua të besoj se kjo është një përpjeke për ta sjell në një formë tjetër dhe për të rritur vlerat e Qazim Mulletit  vetëm nga estetika nis një paragjykim.

Flavio: Në këto 30 vitet e fundit kam përshtypje se figura e Qazim Mulletit vazhdon të jetë për një pjesë në mënyrë dërmuese të madhe të publikut akoma ajo figurë e asaj komedie, ajo karikaturë e figurës së vërtetë. A mundet me dy fjalë që të më tregoni përjetimin tuaj personal të këtyre 30 viteve dhe sigurisht disa informacione për ata që po na ndjekim dhe që nuk e dinë sa larg është ai Qazim Mulleti nga ai Qazim Mulleti që ne njohim?

Mulleti: Unë jam shumë krenare për mbiemrin tim, nuk e kam ndërruar as pas martesës, jam shumë krenare për prejardhjen time, për familjen time për faktin që jam një pasardhëse e Qazim Mulletit dhe e vëllait tjetër të tyre Hysni Mulleti i cili nuk ka lënë trashigimtar. Figura groteske që shfaqet në komedinë ‘Prefekti’ është shumë larg nga Qazim Mulleti i vërtetë dhe këtë nuk e them vetëm unë por e thonë dhe ato që e njohin shumë mirë dhe historinë e Shqipërisë, e kanë thënë vetë artistët. Ai ishte një person shumë i formuar nga ana akademike, intelektuale, po flasim në konteksin kohor kur ai jetoi. Ai studoi në Greqi, pastaj vazhdoi në Kolegjin Ushtarak elitar në Stamboll, bëri studime dhe në diplomacinë ushtarake në Vienë, zotëronte shumë gjuhë të huaja .Tani një person që di kaq shumë gjuhë të huaja nuk mund të jetë kaq groteks , kaq injorant sa shfaqet në komedi. Unë mund të  rri këtu me orë të tëra të flas për figurën e Qazim Mulletit. Unë nuk e kam njohur në këtë jetë Qazim Mulletin, ai ka ndërrur jetë shumë kohë para se të lindja unë, ama jam rritur me një frymë adhurimi, na e kanë ushqyer babai, hallat me një adhurim të pamatë për atë figurë, jo vetëm për atë por për të gjithë familjen tonë, sidomos për atë sepse persekutimi që përndoqi familjen tonë vjen si pasojë e faktit që babai im , hallat e mia ishin nipërit dhe mbesat e Qazim Mulletit. Domethë ajo që unë dua nga të gjithë ne është që të mundohem të tregojmë pak empati. Jo detyrimisht duhet të përjetosh diçka që të kuptosh se sa e rëndë është. 

Znj.Mulleti foli dhe për brezat e rinj të cilët po rriten me filmat propogandistik të kohës së diktaturës në Shqipëri, ajo u shpreh:

‘’Unë besoj se ne po jetojmë në një vend ku historia nuk është shkruar ashtu siç duhet. Po debatohet, debatohet me tona të zjarrta për historinë e vërtetë para viteve ’40 dhe pas viteve ’40. Unë jam rritur në një brez ku babai im më thoshte mësoje për të marrë notën e mirë por pastaj harroje sepes kjo nuk është historia e vërtetë e Shqipërisë. Besoj se tekstet shkollore kanë mangësi në këtë drejtim ndaj komedi të tilla, shfaqje të tilla ajo që përçojnë aritstët është shumë e rëndësishme për popullin shqiptar është shumë e rëndësishme dhe për brezat e rinj sepse këto gjëra merren për bazë. Tani një 20 vjeçar që shikon këtë figurë të Qazim Mulletit, thotë: obobo të gjithë injorantë të gjithë politikanët e Shqipërisë në të gjitha periudhat e historisë. Nuk është bërë dekomunistizimin siç është bërë në të gjitha vendet e  Evropës Lindore në Shqipëri , nuk u inicua kurrë sado që ka iniciativa për të bërë një figurë të mirë ndaj ndërkombëtarëve , por kjo nuk është bërë kurrë. Integrimi i të përndjekurëve politik nuk është bërë kurrë . Nuk po flas për familjen time se ne patëm të ardhura të tjera pas viteve ’90 por flas për ata ish-të dënuar dhe të ish-të përndjekur politik që e shikuan ardhjen e demokracisë si një shpresë , krijuan familje dhe përfunduan në lëmoshjen e të tjerëve.

‘’Nëse duam të bëjmë art duhet të shikojmë dhe pak përpara por duhet dhe të reflektojmë dhe historinë e vërtetë të shqipërisë. Ka mjaft autorë dizident dhe të burgosur të internuar por edhe të pushkatuar për arsye politike që kanë lënë vepra shumë të vyera si “Rrno për të treguar’ e At Zef Pllumit apo të veprat e Gjergj Fishtës. Artistët në një vend si Shqipëria ku strukturat përgjegjëse nuk funksionojnë siç duhet kanë një detyrim akoma më të madh për të përçuar të vërtetën popullit. Unë dua që gjithësekush por veçanërisht artistët të shfaqin empati, të mundohen të vendosin veten në pozitën e tjetrit dhe të mundohen të edukojnë popullin sepse kjo është mënyra e vetme që na ka mbetur për të edukuar popullin mbi historinë e vërtetë të Shqipërisë mbi figurat që me të vërtetë kanë dhënë kontribut për zhvillim e Shqipërisë. Apeloj për tone pak më të buta në replika dhe në Facebook sepse janë përfshirë shumë persona. Dua të falenderoj Shoqatën e Tiranës dhe SYRI.TV që e ka ngritur si çështje gjatë gjithë kohës. Ne sigurisht si familje nuk do e lëmë me kaq , kemi filluar të merremi dje me këtë çështje. Gjyshja ime gjithmonë thoshte: mos u mat kush je , mos u mat çfarë ke. Dhe ti kur arrin në një pikë që nuk ke asgjë në jetë, ajo pas së cilës do kapesh është emri i mirë, nderi i mirë dhe në këtë pikë ne nuk do të lejomë kurrësesi që të cenohemi dhe të prekemi’ është shprehur znj.Mulleti duke lëshuar dhe një kunj  për këtë shfaqje.