Rasti që tronditi Amerikën/ ‘Prokurorët e mbështetur nga Soros po shkatërrojnë SHBA’

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka nisur një nga gjyqet më të rëndësishme.

Aktori Jussie Smollett do të dalë përpara gjykatës me gjashtë akuza mbi shpinë. Historia e tij pati shokuar Amerikën dhe vazhdon akoma të shkaktojë sot tronditje.

Aktori pretendoi në vitin 2019 se mbështetësit e Donald Trump e kishin sulmuar fizikisht- madje theksoi se i kishin vendosur një litar në fyt dhe i kishin hedhur zbardhues mbi trup.

Lajmi shkaktoi shumë zemërim, ndërsa Smollett tha se ky ishte një sulm racist dhe homofobik. Aktori i njohur tha se agresorët kishin thënë se ky është ‘një vend MAGA’, teksa e dhunonin.

Por ndërsa zemërimi ishte në rritje, u mësua se e gjithë ngjarja ishte një trillim. Aktori kishte punësuar dy vëllezër nigerianë që të pozonin si agresorët e tij. Ai u kishte dhënë atyre nga 3500 dollarë për të inskenuar dhunën e ushtruar ndaj tij.

Megjithatë, teksa pritej që ndaj aktorit të ngriheshin akuza për mashtrim, prokurorja Kim Foxx rrëzoi të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij pa dhënë asnjë shpjegim.

Portali Breitbart shkruan se Foxx është e lidhur me miliarderin e majtë, George Soros, i cili ka dhuruar para për fushatën e saj.

Pas shumë përplasjesh, çështja e Smollett më në fund ka përfunduar në gjyq. Por kjo nuk e zbeh faktin se sa të thella janë tentakulat e Soros në sistemin e drejtësisë në SHBA. Soros është investuar personalisht në disa fushata për zgjedhje prokurorësh.

Kujtojmë se gjatë intervistës së liderit historik demokrat, Sali Berisha me gazetarin amerikan, L. Todd Wood, kur ish-kryeministri shqiptar shpjegoi me detaje se si Soros ka kapur drejtësinë në Shqipëri për llogari të Edi Ramës, Wood ndërhyri duke thënë se këtë gjë po e bën në SHBA.

Ndërkohë në një koment në Washington Times, gazetarja Kelly Sadler shkruan se prokurorët e mbështetur nga Soros janë duke shkatërruar Amerikën. Duke analizuar në detaje vendimet e tyre, ajo thekson se reforma në sistemin penal amerikan nuk po funksionon.

“Reforma në drejtësinë penale e zotit Soros do jetë e vështirë të zhbëhet- për arsyen e thjeshtë sepse ai ka shpenzuar vite të tëra duke vënë në zbatim planet e tij. Megjithatë, kurrë mos e nënvlerësoni fuqinë e qytetarit amerikan. Ato nëna dhe baballarë të informuar që e dinë se çfarë po ndodh në realitet- do të shohin se çfarë po ndodh me sigurinë në qytetet e tyre. Në ditën e zgjedhjeve, Soros do të ketë një betejë shumë të ashpër në duar”.