Nesho: Foltorja ka tendencë rinovimin e PD! Presioni i lidershipit do prodhojë efekt të kundërt

Ish-ambasadori Agim Nesho, i ftuar në Task Force në SYRI TV me moderatoren Sonila Meço, ka folur për frymën që ka sjellë foltorja te demokratët dhe efektet e kundërta që do prodhojë presioni i ditëve të fundit nga lidershipi i PD mbi delegatët.

Meço: Gjerkmarkaj flet për një gënjeshtër nga ana e Berishës për mbështetësit e tij se pas 11 dhjetorit ai bëhet kryetar partie, fiton zgjedhjet dhe kështu me radhë! A është ky një argument i dobët apo i fortë për të shënjestruar mbështetësit e Berishës?

Nesho: Për mua është një argument i dobët për arsye se të gjithë po e shohim frymën që po sjell ‘foltorja’ dhe tendenca për të pasur një rinovim të PD. Argumentat  e Gjerkmarkaj qëndrojnë në dy gjëra, që nuk ka se çfarë t’u japi mbështetësve të tij, duke ditur që partia në thelb nuk është për të ndarë pjesët e byrekut por është një frymë për të përqafuar idetë që kanë simpatizantët e saj. Duken argumenta të sforcuara, një farë presioni sepse partia është frymë dhe nuk mund ta mbash me procedurë. Kjo frymë i mungon asaj pjese të lidershipit të PD e cila sot po qëndron e mbyllur dhe nuk po tregon alternativat e saj. Presioni është diçka që ata mendojnë se mund të ketë efekt por mendoj se do të prodhojë të kundërtën.