Kryemadhi: Edhe pas 2 viteve, Shqipëria e papërgatitur ndaj katastrofave natyrore
Nga Monika Kryemadhi
Dy vjet më parë, tërmeti i pasojave shkatërrimtare, i mori jetën 51 shqiptarëve, plagosi qindra të tjerë dhe shkuli nga themelet vendin, me pasoja të tmerrshme për të gjithë shoqërinë.
Ne i bashkohemi familjeve të viktimave, teksa përkujtojnë sot të dashurit e tyre.
Ende, kjo ngjarje kumbuese në zemrat e çdo shqiptari anë e mbanë botës, nuk ka qenë mësim i mjaftueshëm, që Shqipëria të ishte sot më e përgatitur ndaj katastrofave natyrore.
Në përvjetorin e 26 Nëntorit si ditë e zisë kombëtare, pesha e madhe e përgjegjësisë rëndon mbi institucionet, mbi qeverinë shqiptare, për të marrë çdo masë që në të ardhmen të kemi sa më pak dëme në jetën, shëndetin dhe pronën e çdo qytetari.
Do t'i jemi përherë mirënjohës partnerëve që i'u gjendën pranë popullit shqiptar në ato ditë të vështira, si dhe për gatishmërinë e treguar për ndihmë konkrete në procesin e rindërtimit pas tërmetit. Mirëpo, sfida të ngjashme mund të ketë edhe në të ardhmen e afërt.
Ndaj, me ekonominë modeste që ka, Shqipëria duhet të mënjanojë shpenzimet për luks qeveritar dhe të prioritarizojë shtetin dhe qytetarin.