‘PD e Bashës as si PS e Nanos’/ Berisha heq paralele: Kur është esëll flet saktë, dha dorëheqjen kur humbi

Nga ‘Foltorja’ e Kuçovës, lideri historik Sali Berisha theksoi se PD është kthyer në një parti që nuk njeh më votën e lirë dhe asnjë normë statutore.

Ish kryeministri Berisha hodhi akuza në drejtim të Lulzim Bashës, i cili ka 60% të Kryesisë persona të emëruar dhe jo të votuar.

Këtyre të fundit, Berisha u ka bërë thirrje që të japin dorëheqjen, ndërsa nuk nguroi të hiqte një paralele edhe me kampin e kundërshtarëve.

Duke sjellë në kujtesë kohën kur në krye të PS ishte Fatos Nano, Berisha tha se ky i fundit dha dorëheqjen kur humbi zgjedhjet, ndërsa në PD sipas tij kjo mungon. Me humor Berisha shtoi se Nano kur është esëll flet saktë, por tha se i njeh si meritë reformimin e PS. 

Berisha: Më e rënda nga të gjitha është fakti se ne humbëm votën këto tetë vite. Ne votojmë, dhe siç thoshte Stalini, na e rrëmben partia shtet. Kështu ndodhi në zgjedhjet e 2017 dhe 2021. PS kaloi një provë të madhe reformash me Fatos Nanon, megjithëse ai kur është esëll flet saktë. Por ai bëri një gjë të madhe për PS dhe vendin. Nga partia e njëshit, ai zbriti nga anëtar i thjeshtë në kryetar të partisë me votat e anëtarëve.

Ai humbi zgjedhjet dorëzoi partinë sipas statutit. Kryetari po humbi zgjedhjet ikën, por Rama në 2009 humbi zgjedhjet e jo që nuk iku po detyroi anëtarët të votonin për të mos hequr kryetarin. Nga 2019, PS është shndërruar në parti të punës në Shqipëri. Kryetari i PD iu vërsul votës së lirë dhe arritëm ne partia që solli votën të përjashtojmë votën nga vetja jonë.

Ai na bëri gazi i dheut. Ju jeni dëshmimtarë se si ky njeri ka marrë vendim tre muajt e fundit pa pyetur asnjë forum, nen të statutit apo parim partie. Kryesinë e partisë  e ka me 60% të emëruar. Ajo nuk është kryesia juaj, por e peng Bashës, ndaj i ftoj  që të japin dorëheqjen.