Këlliçi: Lejet e ndërtimit për shumëkatëshet në Tiranë, skemë e pastrimit të parave të pista

Deputeti i PD-së Belind Këlliçi, në fjalën e mbajtur sot në Komisionin e Integrimit, foli për problemin e pastrimit të parave.

Këlliçi theksoi se raportet ndërkombëtarë vënë në dukje se lejet e ndërtimit për shumëkatësha banimi në Tiranë janë skemë e pastrimit të parave.

Postimi i Belind Këlliçit:

Të dhënat nga raportet ndërkombëtare na çojnë në përfundimin se lejet e ndërtimit për shumëkatësha banimi në Tiranë janë skemë e pastrimit të parave.

Sot në Komisionin e Integrimit.

——

Arsyeja pse ju përmend vitin 2016 është se në raportin e zyrës së Kombeve të Bashkuara për drogën, UNODC, Shqipëria në vitin 2016 zinte 24% të tregut të kanabisit në Europën Perëndimore dhe Qendrore dhe 61% të tregut në Europën Juglindore. Po këtë vit përllogaritej se bimët e prodhuara dhe të hedhura në treg shkonin në 3.2 milionë rrënjë kanabis sativa, me vlerë 2.2 miliardë euro. Sa 20% e PBB.

Tani, problemi këtu është: ku kanë shkuar këto 2.2 miliardë euro në vitin 2016?

Vijmë tek llogjika fare e thjeshtë. Në vitin 2017, në Tiranë janë dhënë 868,000 metra katrorë leje ndërtimi. Në 2018 kemi një rritje me 66%. Jepen 1.4 milionë metra katrorë leje ndërtimi. Këto janë të dhëna zyrtare të publikuara nga ju. Në 2019, në Tiranë rritet sërish sipërfaqja me 33%, jepen 1.9 milionë metra katrorë leje ndërtimi.

Në raportin e Global Initiative Netëork flitet për këtë 3.6 milionshin, që është një shqetësim kryesor i organizatave ndërkombëtare, sepse dukshëm flitet për pastrim të parave.

Ne e kemi denoncuar një rast konkret të një kompanie të themeluar në 2016-ën me 100 mijë lek të vjetra që ka marrë 3 leje ndërtimi në qendër të Tiranës dhe e shet metrin katror 4500-5000 euro. Nëse ekziston vullneti politik dhe dëshira për t'i shkuar në fund luftës për parandalimin e pastrimit të parave, ju i keni këto raste konkrete.

Sipas INSTAT-it, në Tiranë deri në vitin 2020 numri i popullsisë është rritur me 5395 familje. Me një llogjikë të thjeshtë, i bie që të mjaftonin 500 mijë metra katrorë për të akomoduar çdo familje me 4 anëtarë, sikur të kenë mundësi të gjitha këto familje të blejnë një apartament në Tiranë. Ndërkohë, e gjithë kjo kërkesë ezaurohet vetëm për periudhën Janar-Prill 2021, që janë dhënë 500 mijë metra katrorë leje ndërtimi në Tiranë. Çfarë bëhet me këto 3.1 milionë metra katrorë të tjera? Kush do t'i blejë? Ku dalin paratë?