Meta i përgjigjet Ramës: ‘Open Balkan’ nismë përçarëse’, Procesi i Berlinit me garanci financiare nga BE

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar sërish kundër ‘Open Balkan’, pas deklaratave të Edi Ramës, duke e quajtur atë një nismë përçarëse dhe përjashtuese.

Kreu i shtetit ka vlerësuar maksimalisht ‘Procesin e Berlinit’ si një nismë gjithëpërfshirëse, e cila ka dhënë rezultate konkrete, pasi shoqërohet me garancitë dhe mbështetjen nga Bashkimi Europian. 

"Procesi i Berlinit është gjithëpërfshirës dhe ka dhënë rezultate konkrete, pasi shoqërohet me garancitë dhe mbështetjen financiare të BE, që ka ngritur mekanizma zbatues dhe monitorues. Përkundrejt kësaj, "Ballkani i Hapur" është nismë përçarëse dhe përjashtuese", shkruan Meta. 

Ndërkohë, Rama u shpreh me herët se nisma 'Open Balkan' do të vazhdojë edhe pa pjesëmarrjen e të gjitha vendeve, pasi nuk mund t’i bindin.

"Nuk varet nga ne të bindim dikë që “Open Ballkan” është i hapur. Duhet të ecim përpara, nuk mund të presim. Varet nga gjithkush që të marrë vendimet e veta. Ne thjeshtë po zbatojmë procesin e Berlinit. Gjithkush të vendosë në mënyrë të pavarur cfarëdo do për vendin e vet. Falenderoj vërtetë gjithkënd dhe në veçanti Eskobarin. Mbështetja e tyre është genuine".