Kryemadhi: Stabiliteti i keqqeverisjes, po zbras vendin! Të qartë mbi arsyet e masakrës së 25 prillit

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ka zhvilluar një takim me anëtarët e saj në degën e Korçës, ku ka theksuar se të gjithë janë të qartë mbi arsyet e vërteta të masakrës elektorale, që lejuan vazhdimin e mandatit të qeverisjes aktuale, duke iu referuar në këtë mënyrë marrëveshjes së Ramës dhe Bashës.

‘Një stabilitet i keqqeverisjes, që dita ditës zbras vendin nga të rinjtë, forca punëtore dhe shtresa e mesme, por LSI do të vijojë pa ndalim misionin e saj, në përfaqësimin pa kompromis të interesit më të lartë të qytetarëve’, shkruna Kryemadhi në Facebook.

Postimi i plotë i Monika Kryemadhit:

Sot në qytetin e Korçës, ku të gjithë janë të qartë mbi arsyet e vërteta të masakrës elektorale, që lejuan vazhdimin e mandatit të qeverisjes aktuale. Qytetarët e ndjejnë në përditshmëri, peshën e rëndë të këtij monopoli mbi jetën politike, pasojat e të cilit ndihen mbi të gjitha nga ekonomitë e familjeve shqiptare. Një stabilitet i keqqeverisjes, që dita ditës zbras vendin nga të rinjtë, forca punëtore dhe shtresa e mesme. LSI do të vijojë pa ndalim misionin e saj, në përfaqësimin pa kompromis të interesit më të lartë të qytetarëve. Çdo shqiptar është i ftuar të na bashkohet, për të ndërtuar bashkë një alternativë të besueshme që i përgjigjet siç duhet nevojave të vendit.