‘Kundër vettingu-t të politikës nga SPAK’, Alibeaj i 'lutet' Krajës: E kuptojmë, por shtoni staf

Kreu i SPAK, Arben Kraja u shpreh kundër kërkesës së Partisë Demokratike që procesi i vettingut në politikë të kryhet nga ky organ i drejtësisë.

Në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit, Kraja tha se do të ishte mbingarkesë për SPAK kjo procedurë dhe do i shpërqendronte nga qëllimi parësor.

Por gjatë diskutimeve në komision, deputeti i PD Enkelejd Alibeaj ka kërkuar me doemos që këtë procedurë ta kryente SPAK, ku theksoi se e mirëkupton këtë shqetësim të Krajës, por kjo gjë zgjidhet nëse shtohet stafi.

Pjesë nga diskutimet:

Alibeaj: Një problem mund të jetë mungesë e stafit, por edhe ndoshta mbështetjes buxhetore. Nëse nuk do të ishte as kjo, logjikisht do të binim në përfundimin që është mungesë dëshire. Lidhur me konstatimet që bëra dhe me ca të dhëna, do të doja një koment tuajin.

Kraja: Pjesa e ligjit anti-mafia nuk është administrative se është goditje e pasurive që i referohet kodit të procedurës penale. Nga pikëpamja e komisionit të vettingut për verifikimin e punonjësve tanë, komisioni përbëhet nga tre vetë, është një procedurë mbingarkese. Pjesa e monitorimit të vazhdueshëm. Problemi i monitorimit ka disa problematika, aty është një numër i jashtëzakonshëm subjektesh që duhet monitoruar. Patjetër korniza ligjore e parashikon, ajo që thashë është se ne po mbingarkohemi me punë të tjera duke mos u fokusuar te ndjekja penale.

Alibeaj: E kuptoj. Shqetësimi juaj për mbingarkesë është për shkak të nevojës për ta bërë punën me cilësi. Nuk e mora përgjigjen sesa është numri i subjekteve që hetoni.

Kraja: Mund të shkojë deri te 200 punonjës në total, shto edhe familjarë të afërm.

Alibeaj: Sipas përllogaritjes së vettingut numri i subjekteve që do t’i nënshtrohen janë 140 deputet, sa ministra janë, 160 plus 60 kryetarë bashkie, sipas një përllogaritje numri i subjekteve të vettigut në politikë është i njëjtë me vettingun që ju bëni. Të mirëkuptoj me faktin që nuk keni staf dhe jeni të mbingarkuar. Amendamentet kushtetuese e kanë marrë parasysh. Besoj i keni parë që të dedikuar për këtë çështje mund të jenë aq prokurorë sa është e nevojshme. Do të thotë që përderisa ky është një institucion kushtetues dhe për sa kohë që numri i prokurorëve të SPAK përcakton që minimumi do të jenë 10, por maksimumi mund të jenë sa më shumë është e mundshme që nga tre ti bëjmë 13 prokurorë. Nëse bëhen 23 dhe buxhet të mjaftueshëm dhe me staf besoj që ju e keni vuajtur me ata 200 e ca subjekte, por nëse nga tre bëhen 23 këta 200 subjekte të tjera, cilësisht nuk ndryshon asgjë. Është vetëm çështje njerëzish që është e arsyeshme ta kërkosh. Për ta çuar dhe vozitur përpara të gjithë lëtë proces duhen më shumë njerëz.