Orhan Pamuk - Akuzohet se ka fyer Ataturkun dhe tallet me flamurin/ Nobelisti turk rrezikon 3 vite burg

Autori fitues i çmimit Nobel, Orhan Pamuk po hetohet nga qeveria turke për akuzat: "fyerje" të presidentit të Turqisë dhe tallje me flamurin turk në romanin e tij "Netët e Murtajës", botuar në mars.

Një ankesë fillestare u bë në prill nga avokati Tarcan Uluk, i cili pretendoi se libri nxit urrejtje dhe armiqësi duke fyer Mustafa Kemal Ataturkun dhe tallet me flamurin kombëtar. Shkrimtari i ka mohuar të gjitha akuzat.

“Në Netët e Murtajës, për të cilat punova për pesë vjet, nuk mungon respekti për themeluesit heroikë të shteteve-kombe të krijuara nga hiri i perandorive apo për Ataturkun”, tha Pamuk në një deklaratë. “Përkundrazi, romani është shkruar me respekt dhe admirim për këta udhëheqës liridashës dhe heroikë”.

Ankesa fillestare u hodh poshtë për shkak të mungesës së provave, por Uluk apeloi vendimin, duke rezultuar në hetimin aktual. Ligji turk 5816, i miratuar në vitin 1951, e bën të paligjshme për çdo shtetas turk fyerjen ose shpifjen e kujtimit të Ataturkut.

Pamuk do të përballet me tre vjet burg nëse shpallet fajtor.

Pamuk i cili fitoi çmimin “Nobel” për Letërsi në vitin 2006 u përball me akuza të ngjashme në vitin 2005, i akuzuar për "fyerje të turqizmit" për një koment që bëri në një gazetë zvicerane.

Këto akuza u hoqën më vonë. Sipas “PEN America”, një organizatë jofitimprurëse që mbron lirinë e shprehjes, të paktën 25 shkrimtarë u burgosën nga qeveria turke vitin e kaluar, numri i tretë më i madh në botë.