SPAK pastron edhe Dvoranin/ Presidenca: Do apelojmë vendimin

Pushohet çështja ndaj ish-kreut të KED (Këshilli i Emërimeve në Drejtës), Ardian Dvorani, për të cilin presidenti Ilir Meta kishte bërë një padi.

Vendimi është marrë sot nga Gjykata e Posaçme ku u shqyrtua kërkesa e SPAK, e cila kërkoi që të pushohej çështja ndaj Dvoranit.

“Nuk mendoj që më shkon mua të bëj interpretime të mia. Unë s’kam përplasje me asnjë institucion, thjesht ushtroj detyrën. Të jesh gjyqtar është përtej realitetit të kem përplasje me institucionet. Unë zbatoj vetëm ligjin, nuk kam përplasje me askënd. Është e drejta e zotit Meta që të ketë interpretimin e tij, nuk jam askush ta paragjykoj. Janë institucionet ato që vendosin. Koha e gjyqeve popullore i përket një epoke të kaluar. Çështjet nuk bëhen nëpër media, përtej gjithë respektit, por vendosen në gjykatë”, tha Dvorani.

Përveç ish-kreut të KED, i pranishëm në seancë ishte dhe përfaqësuesi ligjor i Presidentit, Bledar Dervishaj. Ky i fundit tha se vendimi do apelohet.

"Deri më tani Presidenti i Republikës ka respektuar sekretin e prokurorisë. Me kërkesën për pushimin e kësaj çështje jemi njoftuar në fillim të nëntorit. GJKKO vendosi pushimin, por ne kërkuam mosakordim. Gjykata na njoftoi se vendimi i zbardhur do të bëhet me dije dhe tani presim ç'do të ndodhë. Unë di ta ruaj sekretin. Janë parashtruar të gjitha argumentet. Cilat nga aktet që presidenti ka dorëzuar në prokurori nuk është publike? Të gjitha janë transparente. Do e ankimojmë vendimin. Është pushuar vendimi për çështjen penale të vitit 2020, ku ishin shumë të pandehur. Presim të zbardhet vendimi i gjykatës, ne do të bëjmë atë që na lejon ligji”, tha Dervishaj.