Liri! - Çekët protestojnë ndaj kufizimeve për të pavaksinuarit, ndërsa rastet rriten

Çekët protestues marshuan nëpër kryeqytetin e vendit të tyre Pragë të hënën për të kundërshtuar kufizimet e qeverisë ndaj njerëzve të pavaksinuar ndërkohë që infeksionet e reja janë në rritje në këtë shtet të Bashkimit Evropian.

Protestuesit, të cilët ishin me qindra, thërrisnin “Liri!” për të pavaksinuarit dhe ishin kundër nxitjes nga qeveria që njerëzit të bëjnë vaksinat.

Ata mbanin postera me fotografi të politikanëve - përfshirë kryeministrin Andrej Babis, ministrin e Shëndetësisë Adam Vojtech dhe epidemiologët kryesorë - duke i quajtur ata tradhtarë. Ndryshe nga mitingjet e fundit në Holandë dhe Bruksel, kjo protestë ishte paqësore. Turma ishte dukshëm më e vogël se një demonstratë e ngjashme javën e kaluar.

Kufizimet e reja për të trajtuar rritjen e infeksionit në Republikën Çeke hynë në fuqi të hënën dhe synojnë të pavaksinuarit.

Personat e pavaksinuar nuk lejohen më të tregojnë teste negative të koronavirusit për të marrë pjesë në aktivitete publike, për të shkuar në bare dhe restorante, për të hyrë në parukeri dhe muze ose për të përdorur hotelet. Njerëzit që janë vaksinuar ose janë shëruar nga COVID-19 mund të vizitojnë të gjitha ato vende.

Masat u miratuan në një përpjekje për të rritur shkallën e vaksinimit në vend prej 58.1%, që është nën mesataren e BE-së prej 65.5%.