‘Në 18, të shtatat e 11 dhjetorit’/ Lisandër Hoxha: Basha pret ngushëllime për humbjen e vulës

Ish nënkryetari i FRPD Lisandër Hoxha, ka folur për situatën brenda partisë, dhe nëse Kuvendi i 11 dhjetorit do të pasojë me shkarkimin e Lulzim Bashës.

Në një prononcim për CNA.al, Hoxha tha se me 11 dhjetor do të merrën vendime historike, ndërsa shtoi me ironi se me 18, do të jenë të shtatat e 11 dhjetorit të humbjes së vulës së zotit Basha.

Hoxha: Kuvendi Kombëtar është sovrani i Partisë Demokratike. Si i tillë mbetet organi më i lartë i cili sipas statutit tonë mblidhet në dy mënyra. E para është mbledhja një herë në 4 vite i thirrur nga Kryetari me miratimin e strukturave organizative të PD. Mënyra e dytë është ajo e jashtëzakonshmja e cila po aplikohet kësaj here nga 4200 delegat. Ne jemi në kushtet kur krizën e brendshme politike dhe dështimet e z.Basha nuk i mbulojmë dot. Partia Demokratike ka rënë në pikën e saj më të ulët për faj të keqmenaxhimit të ekipit Basha. Për pasojë e gjithë baza e PD është e shqetësuar për të ardhmen e forcës tonë politike. Më 11 Dhjetor sovrani i PD ka thirrur Kuvendin Kombëtar në të cilin do të merren vendime historike për të ardhmen e Partise Demokratike.

Data 18 dhjetor nuk është gjë tjetër përveç një rrufe në qiell të pastër. Më 18 dhjetor janë të shtatat e 11 dhjetorit dhe Basha pret ngushëllime për humbjen e vulës.

Me këtë antikuvend Luli Basha shpreson të trembë delegatet që kanë firmosur për datën 11 Dhjetor. Është një tentativë e dëshpëruar nga një njeri i mbaruar politikisht. Dashuria e Lulit për postin e tij nuk ka limite dhe ai është gati të ndërmarrë çdo marrëzi për të.

Nëse ai do të kishte mazhorancën në Kuvend Kombëtar do të paraqitej më 11 Dhjetor dhe do fitonte me votë, por ai nuk e gëzon mbështetjen e demokratëve dhe shpreson tek manovrat dhe juristët e tij se me procedura stil anekskontratash do të gazbardhizojë procesin më jetik ne PD.