Vetëvrasja e 13-vjeçarit në Lushnjë, Metushi: Sfidat e Tik Tokut problem madhor, prindërit të vëzhgojnë fëmijët

Gazetarja Bleona Metushi në një komunikim me Skype në Syri Tv, me moderatoren Armela Ferko, foli për rastin e rëndë të vetëvrasjes së 13-vjeçarit në Lushnjë, që dyshohet se ka ardhur nga një sfidë e Tik Tokut.

Metushi thekson se sfidat e Tik Tokut janë problem madhor në vendin tonë, por edhe në Europë e në Amerikë, duke shtuar se prindërit duhet të vëzhgojnë se çfarë bëjnë fëmijët në internet.

“Në Tik Tok ka një sfidë që quhet Blacouut Challenge, se kush mban më shumë frymën. Kjo sfidë po përhapet masivisht në rininë shqiptare. Sfida është e përhapur edhe në shoqëritë europiane. Loja është bërë virale. Në mediat e huaja raportohet se ka të rinj në Itali apo në Amerikë, që humbin jetën nga sfidat e Tik Tokut. Në një shtet të Amerikës, një 9-vjeçar ishte dërguar në spital nga loja, edhe një 13-vjeçar kishte ndërruar jetë.

Policia dhe Prokuroria duhet të hetojë për këtë rast. Edhe prindërit duhet të kenë kujdes dhe të vëzhgojnë fëmijët se çfarë bëjnë në rrjetet sociale. Kjo sepse ka pasur një rast, ku një fëmijë i vogël është shantazhuar nga disa persona. Këta persona i kanë kërkuar para dhe i mituri detyrohej që të vidhte në shtëpi. Prindërit të shohin se çfarë vëzhgojnë fëmijët në internet”, deklaroi Metushi.