Ç'befasi pas 22 vjetësh! Fëmija i luftës që Bajrami intervistoi, i vjen në studio i burrëruar!
Trupat e NATO-s po futeshin në Kosovë kur gazetari i njohur Asllan Bajrami me një operator mezi kishte arritur të shkonte në Kampin e Stankovecit në Maqedoni ku ishin të përqendruar një pjesë e madhe e refugjatëve.
Bajrami thotë se në këtë kamp ka intervistuar shumë njerëz përfshirë edhe fëmijë për të kuptuar emocionet e tyre në prag të futjes së trupave të NATO-s në Kosovë.
“Më kujtohet takova një fëmijë. E pyeta “Ç’kuptim ka për ty liria?”, ai qëndroi dy sekonda u zbeh dhe iku. Ishte një përgjigje pa fjalë, por në kronikë transmetonte shumë emocion”, tregon Bajrami në emisionin “Kojshia Show”.
Gazetari thotë se djali më pas u kthye dhe dha një intervistë të shkurtër, por ai vetë nuk mësoi më për këtë djalë nëse ishte gjallë apo jo.
E ndërsa gazetari fliste, emisioni e ka befasuar atë i duke sjellë djalin e vogël të asaj kohe që tashmë është bërë burrë.
“Atëherë isha rreth 10-vjeç…Ishte një emocion i madh pasi ishin bombardimet e NATO-s dhe liria ishte afër”, rrëfeu djali i burrëruar.