‘Basha më hodhi akuza të rënda’, Vokshi: Të gjitha zonjat kanë përqafuar Foltoren, Berisha ka projekt për PD

Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas, Albana Vokshi, ka mbajtur fjalën e saj në Foltoren e mbajtur me gratë dhe vajzat e LDG-së.

Vokshi thekson se Basha i ka hedhur akuza të rënda, sepse nuk pranon dot që gratë e vajzat janë tashmë me Foltoren.

Ajo shton se Berisha ka projekt për të ringritur PD-në.

“Të gjitha zonjat kanë përqafuar Foltoren. Basha në telefon më hodhi akuza të rënda, për LDG. Por, salla është plot me gra dhe vajza. Basha tha se LDG ishte përfshirë në lëvizje antistatuyore, zoti Basha nuk e zhbën dot kontributin e Lidhjes Demokratike të Gruas, që keni bërë fushatë, që keni trokitur derë më derë, për të mbledhur vota, që të fitojë PD-ja.

Basha nuk e di se bijtë e tu janë tërhequr zvarrë nëpër komisariate, sepse rri aty në krye e sheh çdo gjë si spektator. Kam zgjedhur Foltoren, sepse besoj në projektin e Sali Berishës, sepse Berisha e ka një projekt që PD të jetë parti konkurruese. Unë i jam mirënjohëse Berishës, sepse jam këtu ku jam në politikë për shkak të tij e gjithmonë më ka respektuar”, deklaroi Vokshi.