Teuta barazoi 2-2 me Skënderbeun, Martini i zhgënjyer: Më shqetëson pësimi i golave

Teuta përmbysi Skënderbeun, por më pas pësoi një tjetër gol dhe ndeshja e luajtur në Kamzë përfundoi në barazim 2-2.

Sfida e tretë pa fitore në Abissnet Superiore për ekipin e Edi Martinit, i cili nuk e fsheh zhgënjimin për dy pikët e humbura në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.

“Ajo që më shqetëson është pësimi i golave që marrim. Janë gola naivë që vijnë për mungesë përqendrimi. Duhet më autoritet në lojë për të fituar ndeshjen, gjë për të cilën sot lamë për të dëshiruar.

Nuk dua të justifikohem për mungesat, jemi ndërtuar për kampion. Duhet ta qarkullonim topin më shumë pas avantazhit tonë, nga frika u kthyem në mbrojtje dhe Skënderbeu e shfrytëzoi.

Duhet të jemi më të qetë. Në momentet që je duke fituar, atëherë duhet të ishim më të qetë, duhet ta menaxhonim më mirë 20 minutëshin e fundit. Duhej më tepër autoritet dhe qarkullim topi.

Kur je nën presionin e pikëve, edhe ekipi futet në stres, por nuk kemi çfarë bëjmë, të pranojmë rezultatin. Na kthehen ndeshjen tjetër lojtarët që nuk luajtën sot. Lufta është e hapur, ekipet janë afër njëri-tjetrit. Duhet të jemi të përqendruar.

A ishte i drejtë barazimi? Unë them që humbëm 2 pikë, patëm mundësi të shënonim golin e tretë. Kishim punuar shumë për të pasur kujdes sulmuesit e tyre në goditjet standarde. Punuam të mos dëmtoheshim nga topat e gjatë dhe goditjet standarde, por aty erdhi goli.

Teuta ime ekipi më i ndëshkuar me kartonë? E vërtetë, duhet të jemi më të kujdesshëm, edhe vjet jemi ndëshkuar. Është një pikë që duhet të rregullohet, lojtarët me eksperiencë duhet të qetësojnë vetën dhe të tjerët”, përfundoi trajneri i kampionëve në fuqi.