Sarri i papërmbajtshëm : VAR-i bëri një çmenduri, nuk më interesojnë tifozët e Juventusit

Mauricio Sarri e ka cilësuar si “çmenduri” vendimin për të dhënë penallti për Juventusin kur rezultati ishte 0-0 ndaj Lacios së tij. Tekniku i bardhekaltërve, pas sfidës nuk ka shmangur dot polemikat sa i përket gjykimit të sfidës që Lacio humbi me shifrat 2-0.

“Sa i përket paraqitjes, skuadra bëri një ndeshje të mirë, por nuk arritëm të transformonim lojën në rrezikshmëri. Çiro, një sulmues prej 30-40 golash në sezon, është i vështirë për t’u zëvendësuar.

Kjo e sotmja ishte penalltia e parë që vërshëllehet për një faull nga pas. Gjyqtari e pa mirë, pastaj VAR-i bëri një çmenduri. Nuk mund të gjykosh nga një pamje e ndalur. Kjo është një penallti e vogël. Përtej episodit të penalltisë, nuk më pëlqeu drejtimi i ndeshjes. Më mirë të mos flasim më për të. Përse më dhanë karton të verdhë? Nuk e di…

Çfarë ndjeva përballë Juventusit dhe tifozëve të tij? Sa u përket tifozëve të Juventusit, nuk më interesojnë. Kam drejtuar lojtarë të mëdhenj, mbaron me kaq, nuk më intereson”, tha Sarri pas ndeshjes.