Meta rifreskon deklaratën e 2015-ës: Do dëgjoni çudi për opozitën e pafajshme Basha- Rama

Presidenti i Republikës Ilir Meta vazhdon replikat ndaj kreut të Partisë Demokratike Lulzim Bashës.

Pas replikës së ashpër nëpërmjet zëdhënësit të tij Tedi Blushi, Meta ka rifreskuar dhe një video të vitit 2015 në kohën kur ai ishte Kryetar i Kuvendit ku ndër të tjera ai shprehet se Lulzim Basha është i vetmi kryetar opozite i cili në vend që të kërkojë dorëheqjen e kryeministrit siç kërkohet në përgjithësi nga kryetarët e opozitës në të gjithë Europën dhe botën kërkon dorëheqjen e Kryetarit të Kuvendit.

''Të dashur miq, Më këtë freskim kujtese, për një konstatim që në vitin 2015, ju uroj të gjithëve një fundjavë të mbarë, të paqtë dhe të gëzuar, përfshirë edhe “artistin” e Rilindjes”, shkruan Presidenti krahas videos.

Deklarata e tij e rifreskuar:

 “Lidhur me risitë dhe çuditë që po sjell në politikën shqiptare kryetari i PD-së, zoti Basha nuk ka nevojë të jap edhe shumë sqarime. Është i vetmi kryetar opozite i cili në vend që të kërkojë dorëheqjen e kryeministrit siç kërkohet në përgjithësi nga kryetarët e opozitës në të gjithë Europën dhe botën kërkon vetëm dorëheqjen e kryetarit të parlamentit dhe unë e kuptoj se kush është arsyeja e vërtetë. Është pakënaqësia e tij e thellë për respektin maksimal që unë tregoj jo thjesht ndaj demokratëve në parlament, por sidomos ndaj liderit historik, zotit Berisha duke i dhënë mundësinë të shprehë pa kufizim në tërësi mendimet dhe qëndrimet e tij politike. Të jeni të bindur që do të dëgjoni çudi të mëdha për akuzat e tij ndaj qeverisë kriminale Meta-Meta dhe për shtypjen dhe terrorin e saj ndaj opozitës së pafajshme Basha-Rama”, deklaroi Meta.