Lëvizja e Sali Berishës për demokraci si një RESTART

Lëvizjen e Sali Berishës për demokraci brenda PD e shoh si “Restart”, jo si rikthim të tij. Të paktën mua do më pëlqente të ishte kështu. Teknikisht Berisha nuk po rikthehet sepse ai ishte dhe është në PD. Por në krye të kësaj lëvizje po i bën një shërbim të madh kësaj partie që të rindizet.

Nga Ylli Manjani.

PD po rrokulliset me motorë të fikur. Ndaj duhet ndezur motori. Nuk është motor i dëmtuar, por thjesht i vjedhin naftën, ndaj dhe nuk ndizet. Berisha po e rindez dhe kjo është gjë e mirë. Rindezja e PD mund të shërbente shumë për ristartin e demokracisë në vend. Se motorfikurit, jo vetëm të PD, e kanë dëmtuar rëndë demokracinë, zgjedhjet, fjalën, lirinë, ekonominë, shoqërinë e shtetin.

Sigurisht nuk pres që Berisha t'i rindezë të gjitha këto, por një PD demokratike mund të ndihmonte shumë. E kuptoj ngarkesën që njerëzit kanë me emrin dhe figurën e Tij dhe kanë të drejtë, por kjo lëvizje e tij bën veç mirë.

A ka Berisha një axhendë personale? Ndoshta ka. Por personalja e një 77- vjeçari është shumë më e gëlltitshme sesa egoja e një 47 apo 57-vjeçari që s’ngopet me sundim antidemokratik.  Megjithatë, uroj të jetë ristart, jo rikthim. Shoqëria ka nevojë për restart demokratik, politik, ekonomik e institucional.