Policia Rrugore shton kontrollet në fundjavë, aksion me dronë, makina pa logo dhe kamera

Policia Rrugore e Tiranës ka njoftuar të premten se ka shtuar masat për sigurinë rrugore gjatë fundjavës, të shtunën dhe të dielën.

Policia e Shtetit bëri thirrje që të zbatohen me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, pasi të gjitha rrugët nacionale dhe urbane në të gjithë vendin do të jenë të monitoruara me patrulla të lëvizshme të Policisë Rrugore, radarë, dragera, dronë, makina të paloguara, kamera e aparate fotografike.

Policia Rrugore e Tiranës edhe gjatë mbrëjmes së të premtes gjeti shkelës të shumtë të ligjit gjatë monitorimit të qarkullimit me radarë e alkooltestues në rrugën interurbane Tiranë - Elbasan – Tiranë - Durrës –Tiranë dhe ë unazën lindore Farkë-TEG dhe Sauk-TEG.

Në aksin Farkë-TEG e Sauk-TEG, Policia Rrugore e Tiranës konstatoi 18 raste të shpejtësisë tej normave të lejuara, që varionin 131 km/h deri në 169 km/h.

Drejtuesve të automjeteve iu pezullua leja e drejtimit nga 2 muaj deri në 10 muaj, pasi disa prej tyre ishin shkelës të disa rregullave të ndryshme të qarkullimit rrugor.

Gjithashtu, u konstatuan dhe 30 raste me shpejtësi nga 118 km/h deri në 127 km/h. Drejtuesit e mjeteve u ndëshkuan me masë administrative 2.000 lekë deri në 4.000 lekë të rinj secili.

Nga monitorimi me alkooltestues, në të gjitha rrugët e Tiranës janë evidentuar dhe arrestuar në kushtet e flagrancës 4 drejtues mjetesh, në gjendje të dehur.

Gjithashtu, janë pezulluar 12 leje drejtimi, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, si dhe janë vendosur 15 masa administrative me vlerë nga nga 5.000 lekë deri në 15.000 lekë të rinj, për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.