Donin të trafikonin drejt Britanisë 69 shqiptarë, dënohen 4 anëtarët e bandës

Katër persona, anëtarë të një bande që kanë tentuar të trafikojnë 69 shtetas shqiptarë drejt Britanisë së Madhe janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar nga autoritetet britanike.

BBC raporton se nëntorin e vitit të kaluar një anije peshkimi u kap nga autoritetet në brigjet Norfolk, brenda të cilës ndodheshin emigrantët shqiptarë.

Anija kishte kaluar 14 orë në det të hapur dhe ishte nisur nga Belgjika.

Personat e dënuar janë Kfir Ivgi, 32 vjeç, Sergejs Kuliss, 39 vjeç, Alexandrs Gulpe, 44 vjeç dhe Igor Koysi, 56 vjeç. Ndërsa  Volodymyr Mykhailov u la i lirë.

Në një seancë të mëparshme u shpall fajtor edhe shtetasi tjetër, Artuas Jusas, 35 vjeç, për të cilin mediat britanike kanë publikuar edhe pamjet e arrestimit.

Jusas shfaqet me të brendshme duke i hapur derën policisë, por pa e ditur që ishin efektivët. Të gjithë këta persona akuzohen për kontrabandim të klandestinëve.