Tifozët e Interit ironizojnë Alexis Sanches për dëmtimin me Kilin

Sulmuesi i Interit, Alexis Sanches, ka mbetur i dëmtuar sërish me kombëtaren e tij, duke shqetësuar klubin zikaltër.

Sanches ka mbetur i dëmtuar mëngjesin e sotëm në sfidën Kili-Ekuador të vlefshme për eliminatoret e Botërorit në Amerikën e Jugut, duke lënë fushën pas vetëm 35 minutash lojë.

Një lajm mjaft i keq për kilianin që nuk po kalon një periudhë të mirë në karrierën e tij.

Si të mos mjaftonte dëmtimi, tifozët zikaltër kanë shpërthyer në komente në rrjetet sociale duke thumbuar yllin e tyre.

Në fillim të tetorit, Sanches postonte foton e një “Lamborghini” teksa e shoqëronte me mbishkrimin: “Mund të vlesh shumë, por nëse je në vendin e gabuar… nuk do të shkëlqesh”.

Kaq ka mjaftuar qe tifozët e Interit të shpërthejnë me emoji “Lamborghini” në rrjetet sociale, duke ironizuar keq sulmuesin e tyre.

Kjo mund të jetë fundi i një marrëdhënie gati 2-vjeçare, pasi 32-vjeçari mund të largohet në këtë merkato dimri.