Klodian Çalamani dhunoi minorenen, ajo u arratis gjysmë e zhveshur

Autori i ngjarjes makabre të një dite më parë në Fier është përfshirë edhe në një incident të ngjashëm rreth 15 vite më parë po në të njëjtin fshat. Një vajzë 16-vjeçare në atë kohë, ka përjetuar tmerrin e dhunës së dy fqinjëve të saj, ku njëri prej tyre është Klodian Çalamani, i arrestuar dhe dënuar nga drejtësia.

Rreth 6 vite më vonë, në pranga përfundoi edhe autori i dytë i ngjarjes tronditëse, Florian Vasiu, 25 vjeç, nga fshati Grecalli, i dënuar po atë vit me katër vjet heqje lirie, për shkak se bashkëpunoi me shokun e tij, Klodian Çalamani, ku morën peng dhe torturuan për 20 minuta një fqinje në moshë të mitur.

Shkak i kësaj ngjarjeje ka qenë ngacmimi i përsëritur i Florianit ndaj vajzës atëherë 16 vjeçe, e cila ndiqte vitin e dytë në gjimnazin “Perikli Ikonomi” në Fier. Bezdisjet e herëpashershme që Floriani kishte kryer ndaj 16-vjeçares N.R., ishin vërë re rastësisht nga i dashuri i saj, E.N. nga Fieri, i cili e ka takuar të dënuarin dhe i ka thënë që të mos e shqetësonte më. Në këtë kohë ka ndërhyrë i dënuari tjetër për këtë ngjarje, Klodian Çalamani dhe i ka ndarë.

Pavarësisht paralajmërimit të të dashurit të vajzës, Floriani dhe Klodiani, duket se kanë planifikuar ndëshkimin e fqinjës së tyre të mitur, duke e kërcënuar se do t’ia shëmtonin pjesë të ndryshme të trupit, pikërisht gjoksin, duke ia prerë me biçak. Nga hetimet e Prokurorisë së Fierit ka rezultuar se për të arritur qëllimin e tyre, një prej të dënuarve, Klodiani, ka kërcënuar edhe motrën e tij, E. Çalamani, e cila është përdorur për të futur në kurth adoleshenten. Dy të rinjtë u dënuan nga Gjykata e Fierit, me nga katër vjet burgim për veprën penale të heqjes së lirisë të kryer në bashkëpunim.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor, trupi gjykues është njohur edhe me dëshminë rrëqethëse të së dëmtuarës, që ka shpjeguar gjithë dhunën fizike e psikologjike të ushtruar mbi të nga fqinjët e saj, shkruan Panorama.

E pyetur në cilësinë e dëshmitares, kallëzuesja N.R. ka deklaruar atëherë para hetuesve dhe trupës gjykuese se i njihte të dy të pandehurit, pasi banonin në të njëjtën lagje. Në dëshminë e siguruar nga “Gazeta Shqip” në atë kohë, i pandehuri Florian Vasiu, disa herë i ka kërkuar numrin e telefonit dëshmitares që të flisnin, por ajo ka refuzuar. Sipas saj, Floriani e ka gjetur numrin dhe i ka telefonuar disa herë, por ajo nuk i është përgjigjur kur ka mësuar se kush ishte telefonuesi.

Dy ditë para ngjarjes, Florian Vasiu ka shkuar në shkollën e mesme “Perikli Ikonomi” në Fier, në të cilën mësonte e dëmtuara, ku ajo e ka parë edhe herë të tjera, ndonëse i pandehuri nuk ishte nxënës i asaj shkolle. Floriani e ka ndaluar te porta e shkollës dhe i ka shprehur dëshirën se donte të pinte një kafe me të, por ajo nuk ka pranuar.

Dëshmitarja sqaron se ajo nuk i ka treguar Florianit që në të njëjtën kohë kishte një lidhje dashurie me E.N. nga Fieri, i cili i ndodhur rastësisht aty e ka parë këtë ngjarje. Për faktin që Floriani e kishte ngacmuar, e dëmtuara i ka treguar nënës së saj dhe më pas e ka takuar vetë të atin e Florianit, të cilit i ka kërkuar që djali i tij të mos e shqetësonte. Babai i Florianit i ka thënë që ajo të shkonte pa merak.

Në datën 09.05.2006, dëshmitarja ka deklaruar se ka takuar në rrugë E. Çalamanin, motrën e të dënuarit Klodian, e cila kishte një muaj që kishte ardhur nga Maqedonia ku edhe ishte martuar. E. Çalamani i ka kërkuar që të shkojnë bashkë në dyqan për të blerë disa gjëra për fëmijën e saj të vogël. Dëshmitarja ka hezituar, pasi ka qenë veshur siç ka dalë nga shtëpia dhe me këpucët e babait të saj. Por E. Çalamani ka këmbëngulur duke i thënë që të shkonin në shtëpinë e saj që t’i jepte një palë shapka dhe të shkonin te dyqani.

Dëshmitarja ka pranuar dhe kur ka hyrë në oborrin e shtëpisë së E. Çalamanit, që është edhe shtëpia e Klodianit, i ka kërkuar fqinjës më të madhe në moshë, se ku ishin shapkat. Por kjo e fundit i ka thënë se do t’i tregonte diçka dhe i ka nxjerrë një fletore, në të cilën vëllai i E. Çalamanit, B. Çalamani, kishte shkruar me ndjenjë në drejtim të së dëmtuarës N.R.

Në këto moment, dëshmitarja ka shpjeguar se ka parë Klodianin që i ka ardhur nga pas me një biçak në dorë, i cili gjatë kësaj kohe ka qenë i fshehur përbri derës së shtëpisë. Adoleshentja e frikësuar nga paraqitja e befasishme e Klodianit me biçak në dorë, i ka kërkuar ujë, pasi nuk ndihej mirë dhe kjo e fundit e ka ftuar brenda shtëpisë që të qetësohej. E para ka hyrë E. Çalamani, më pas e dëmtuara dhe në fund Klodiani. Kur dera ishte gjysmë e mbyllur dëshmitarja ka parë pas saj të fshehur fqinjin tjetër, Florian Vasiu. Në moment ajo ka reaguar duke i thënë E. Çalamanit se nuk kishte punë aty dhe është ngritur për të ikur.

Por, sapo ka bërë dy hapa për të dalë nga dhoma, Floriani apo Klodiani, (këtë dëshmitarja nuk e ka saktësuar dot), e ka shtyrë mbrapsht.

E. Çalamani është larguar nga dhoma, ndërsa dëshmitarja i është drejtuar dy të pandehurve me fjalët: “Ç’ju kam bërë, çfarë problem keni me mua?!”. Ajo ka tentuar sërish të dalë, por Klodiani i është përgjigjur se ajo nuk do të ikte nga aty dhe e ka shtrënguar me njërën dorë në fyt. Floriani e ka kapur për flokësh dhe e ka përplasur në mur me forcë. Sipas dëshmitares, dy të dënuarit e qëllonin me pëllëmbë në fytyrë dhe me shkelma në kurriz dhe këto veprime i shoqëronin me fjalët: “Kë na ke vënë ti neve për të na rrahur? Ndërkohë, shanin me fjalë të rënda”. Ajo ka shpjeguar se ka tentuar disa herë të largohej, por dera ishte e mbyllur dhe nuk kishte nga të dilte, pasi dy fqinjët nuk e linin dhe nuk mund të bërtiste, pasi Klodiani i mbante dorën te goja.

Pasi i pandehuri Floriani e ka shtyrë dëshmitaren, për pasojë ajo është gjendur në krevatin e mesit të dhomës. Në këtë kohë i pandehuri Florian i ka thënë Klodianit: “Lëre se do ikim se vjen Policia”.

Por, Klodiani ka marrë një shishe birrë dhe e ka qëlluar drejt e në kokë N., e cila ka arritur të ulë kokën dhe e ka shmangur goditjen. Sipas dëshmitares, pas kësaj Klodiani ka marrë copat e qelqeve dhe ka çarë trupin e tij e fytyrën.

E mitura ka pohuar se asnjë prej agresorëve nuk e ka ngacmuar seksualisht dhe nuk ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me të. Por, i pandehuri Klodian Çalamani i ka thënë se donte t’i linte një shenjë te gjokset duke e prerë me biçak, por pa e ndërmarrë këtë veprim. Në këtë kohë në dhomë ka hyrë L. Vasiu, vëllai i Florianit, i cili u ka thënë dy të dënuarve që ta lënë të ikë vajzën.

Por, Klodiani nuk e ka lëshuar duke e tërhequr nga bluza dhe për pasojë e ka grisur atë. Si pasojë ajo i ka ikur nga duart Klodianit, ndonëse ka mbetur e veshur sipër vetëm me të brendshme dhe me tuta.