Në SYRI TV/ Sot në Task Forcë: Dora që vrau Mateon

Nga Sonila Meço

Kohët që jetojmë po sfidojnë rëndë shëndetin mendor. Që nga simptomat e lehta të ankthit e depresionit e deri tek shfaqjet patologjike të sëmundjeve shumë të rënda psiqike janë tema dite në biseda e diskutime me njëri-tjetrin.

Provoni tani në një ushtrim të shpejtë kur është hera e fundit që keni folur për fqinjin, kolegun, të njohurin, të afërmin, të panjohurin ndeshur rastësisht në rrugë, kafe a radhë për të cilët jeni shprehur me ‘ky është çmendur’, ‘ka nisur të flasë me vete’, ‘çfarë agresiviteti’, ‘mos i fol se ka rrjedhur’, ‘lere se qenka i rroitur’, ‘i ziu i paska lëshuar pëllumbat’, ‘i ka ikur mendja, mos u merr me të’, ‘Zot na ruaj se është shfytyruar mileti’…

Provojeni!!!! Dhe do kuptoni se ne jetojmë pa asnjë koracë mbrojtjeje karshi çrregullimeve mendore. Bashkëjetojmë me mendjet e çoroditura e të sëmurët mendorë sikur të jetojmë në një çmendinë të madhe. Pra në vend të garantimit të krijimit të hapësirave trajtuese e kontrolluese për të çrregulluarit mendorë, ne bëjmë të kundërtën si shtet e shoqëri, shpallim hapësirë të përbashkët bashkëjetese ku çdo ditë mendjet e shëndetshme janë nën rrezikun e dhunës, reagimeve dhe sjelljeve të pakontrolluara të atyre të sëmura. Dhe mjafton të hedhësh sytë në ambjentet publike, në shfaqjet mediatike, në përrenjtë psiqikë të komunikimeve publike e në rrjete sociale për të kuptuar llojin e ‘çmendinës’ masive ku na ka rënë për hise të jetojmë.

Tani vijmë tek rasti i Fierit, që na prishi gjakun e la pa gjumë, që na rirenditi prioritetet e jetës duke llogaritur tashmë një rrezik të jashtëzakonshëm e duke na tronditur ekuilibrin psiqik si shoqëri.

Një 38 vjeçar, me histori dhune makabre, me një dënim të mëhershëm për marrje peng të miture e torturim, me akuza të shpeshta në zonë për akte të turpshme, të ndyra, që njihet nga policia, prokuroria, gjykata, institucionet shtetërore si i çekuilibruar mendërisht, që njihet nga fqinjë e banorë për akte konkrete dhune e rrugaçërie, që jeton i vetëm në mjerim të skajshëm, pa u fshehur, aty, mu nën hundën e çdo shërbimi komunitar arrin në mes të ditës të joshë, kërcënojë, qëllojë, vrasë e groposë në oborr të shtëpisë një 8 vjeçar. Dhe të pohojë gjakftohtë: ‘e vrava se më shau!’

Po, po si Ritvani që groposi 8 familjarë njëherësh se e fyen duke e sharë, u mbars rrjeti e media me komente, analiza, thirrje për varje në litar…edhe?

Edhe sikur të qe varur në mes të fshatit, me kripë t’ja përcëllonin mishin do mendohej dy herë Klodian Çalamani të masakronte Mateon e vockël? Po Klodiani s’ka as tv, as Iphone, as rrjete sociale ‘të informohet’ mbi ‘varjen’ e Ritvanit. Por edhe në pastë, nën presionin e dallgës psiqike, çrregullimit mendor do arsyetojë???? Do ndalë atë reaksion të tmerrshëm kimik për të racionalizuar veprimet?

Se ja u ‘var’ edhe Klodiani, po ai tjetri e tjetra nën ‘regjimin’ e ‘dirigjimin’ e një çrregullimi psiqik do nisë të vetkontrollohet e të vetpërmbahet në një reagim të ngjashëm?

Ja pra, që zgjidhja nuk është tek lloji i ndëshkimit, por tek dështimi i parandalimit. Merrini me radhë, nga çdo shërbim garantimi sigurie e bashkëjetese në komunitet se si e kanë lënë një të çrregulluar mendor jo vetëm të krijojë precedentë, por të vijojë pa asnjë trajtim jetën mes të shëndetshmëve.

Ku janë operativët e zonës, policia, shërbimet sociale, organet e drejtësisë, shoqata e organizata, komuniteti, numrat e kontaktit për ofrime ndihme e trajtimi të rasteve të tilla? Ku ka vajtur dosja e precedentit, kush njoftohet, si ndiqet? Se banorët kanë denoncuar, të paktën kështu pohuan dje e sot pa pushim në mikrofonët e etur të medias.

Ah media, ku jap e marr vetë. Hapni tv dhe shihni sa dhunë, sherre, hakërrime, kërcënime, shantazhe, ulërima, çjerrje që vijnë përditë nga ai kumt i pangopshëm me scoop, skandale e shikueshmëri me çdo kusht.

Hapni rrjete sociale, aty ku aksesi i çdo lloj mendjeje është absolut për të demonstruar çdo lloj perversiteti pa asnjë filtër e masë paraprake.

Dilni në trafik, provoni timonin ose këmbësorin, nëse nuk ju ngjan skenë potenciale krimi ajo furì nervash të lëshuara, patjetër do jetë fushë beteje…

Rrugët e përgjakura nga marramendje e dalldisje shoferësh…

Po shihni parlamentin tek e fundit…

Dështim i plotë, nga lart posht. Çdo nivel që vetpërjashtohet nga përgjegjësia është një Klodian potencial.

As varja e as djegia nuk shpëton një shoqëri të degraduar e lënë në mëshirë të fatit. Se me aq mllef, mërzi, lodhje, varfëri, padrejtësi bashkëjeton ky popull sa secili lutet patjetër më shumë se një herë në ditë: ‘Zot na ruaj mendtë’.

Nëse as Mateo, dritë syri nuk i bën dot drejtësi zinxhirit të kalbur, që lejoi një monstër të veprojë i qetë e i pasfiduar as litari, as turra e druve e as gijotina për dorën që e groposi nuk do ta bëjë. Duhet shkuar tek ‘mendjet’ e ‘shëndetshme’, që i lejojnë ato të çrregulluara të bashkëjetojnë në ‘çmendinën kolektive’. Dhe janë aq shumë e hashiqare sa patetizmat e thirrjet për shpagim ndaj autorit sikur u ofrojnë faljen.

Ndaj duhet bërë publik i gjithë procesi që mundësoi groposjen e një fëmije në mes të ditës. Sepse monstra nuk veproi e vetme.