Hetimi i 25 prillit, përplasje në komision mes Alibeajt dhe Gogut

Ka nisur Komisioni Hetimor Parlamentar për zgjedhjet e 25 Prillit, ku nuk kanë munguar replikat mes drejtuesit Enkelejd Alibeaj dhe përfaqësuesve të mazhorancës.

Sipas Toni Gogut, Alibeaj u ka dërguar kërkesë për informacione disa institucioneve në vend, pa marrë më parë miratimin e anëtarëve të tjerë të Komisionit.

Gogu e ka quajtur kërcënim faktin që Alibeaj ka kërkuar nga institucionet që të kthejnë përgjigje brenda 5 ditësh, duke iu referuar edhe ligjit për informimin.  

Deri më tani si Alibeajt ka kthyer përgjigje vetëm Partia Demokratike, dhe asnjë prej institucioneve të tjera të përfshira.

Gogu: Jam vënë në dijeni që keni nisur një shkresë ku i kërcënoni institucionet me kërkesat për informacion. Shkresa është bërë në emër të Komisionit Hetimor, ne jemi duke u përballur me një veprim të paligjshëm, propozoj që të bëni çdo njoftim në përputhje me rregulloren.

Alibeaj: Në mbledhjen e kaluar ne kishim kërkuar informacion nga institucion, këto lloj kërkesash miratohen pa vendim. Institucioneve u ishte lënë një afat i përcaktuar në përputhje dhe me afatet e punës së komisionit. Afati për institucionet ishte 5 ditë, dhe brenda afatit ka kthyer përgjigje vetëm PD. Asnjë institucion publik nuk ka denjuar që të përgjigjej. Në këto kushte i vetmi instrument që ne kishim në dorë ishte minimalisht që të tërhiqnim vëmendjen.

Gjatë mbledhjes ka pasur tensione të vazhdueshme nga deputetët e PS-së të cilët kërkojnë fjalën duke mos lejuar vazhdimin normal të mbledhjes.

Alibeaj- Gogut: E drejtoj unë komisionin, të drejtën e fjalës do e marrësh kur ta jap unë. Nuk e kuptoj qëndrimin tuaj, nuk dua të besoj se ju keni skenar që të bllokoni punën e këtij komisioni.

Gogu: Fjalën ma jep ligji dhe rregullorja, nuk mund ta shkelësh ligjin, jeni duke vepruar në mënyrë të paligjshme

Alibeaj: Pala tjetër është pala e pakicës, nëse ju këmbëngulni që të jeni nga ana e opozitës, është çështje tjetër. Mesa duket në fakt, ky komision hetimor do t’iu bëjë që të nisni numërimin mbrapsht. Fjalën ja dhashë fillimisht zotit Salianji, tani e ka radhën zoti zëvendëskryetar.