Një sqarim për opinionin dhe një këshille profesionale për gazetarët e Fix-it

Mbrëmë 'Fiks Fare' paska transmetuar diçka lidhur me plotësimin e një prej formularëve ku kërkohet mbledhja e Kuvendit të PD me 11 dhjetor! Gazetarja e Fiks-it paska përfituar nga Foltorja e Sarandës dhe ka arritur të sigurojë dhe të plotësojë një prej formularëve.

Unë vetë nuk e kam ndjekur emisionin se kam disa vite nuk e shoh fare as Top-Ch e as mediat e tjera në shërbim të Ramës thjesht për ekonomi kohe, por e lexova rastin nëpër portale.

Ajo që duket “interesante” këto kohë, është se të gjitha mediat në shërbim të Ramës dhe të ashtuquajturit analistë që dihet se paguhen nga Rama, papritur janë vënë të gjithë në mbrojtje të kryetarit të PD!!! Sidoqoftë kjo është çështje e tyre!

Po pavarësisht kësaj, të përqendrohem te rasti.

Si fillim një këshille profesionale për gazetarët e Fiksit, meqenese dikur kam bërë dhe gazetarin investigativ. Do duhej t'i shkonit deri në fund këtij që ju e quani investigim. Nëse pasi plotësoi formularin, gazetarja do vinte tek unë dhe siç kanë bërë gazetarë të tjerë, të kërkonte të shihte formularët. Të kërkonte specifikisht ato të Sarandës. Nëse midis tyre do të gjente formularin e plotesuar nga ajo vetë, atëherë ky do ishte vertetë një “investigim” i çuar deri në fund dhe i suksesshëm.

Unë besoj që kjo nuk ka ndodhur jo sepse gazetarja nuk e ka menduar, po sepse qëllimi nuk ka qenë investigimi i së vertetës, por manipulimi i opinionit.

Tani një sqarim për ata që janë të interesuar.

Përpara se unë të pranoja të merrja në dorëzim dhe nën përgjegjësinë time, 4200 formularet nga perfaqësuesit e firmëtarëve, pata një takim të gjatë me ta, ku ndër të tjera kërkova informacion dhe për mënyrën se si ishte proceduar me plotësimin e formularëve. Po ashtu bëra një kontroll vertikal të formularëve.

U sqarova me atë rast se formularët janë administruar në fazën e plotësimit të tyre, prej drejtuesve të PD në degë, duke filluar nga kryetarë, nënkryetarë e sekretarë degësh, deri te drejtuesit e grup-seksioneve. Këta, të pajisur me listën e delegatëve të degës së tyre, pas mbledhjes së formularëve kanë bërë dhe seleksionimet paraprake në degë, duke administruar vetëm formularët e delegatëve dhe jo edhe të anëtarëve të thjeshtë, që mund të kenë plotësuar formularë nga dëshira për të shprehur vullnetin e tyre e mbase pa dijeni që formularët vlejnë vetëm për delegatët.

Pas kesaj faze të parë, formularët e degëve janë dorëzuar te një grup pune të ngritur në Tiranë nga përfaqësuesit e firmëtarëve. Ky grup pune ka bërë jo vetëm një verifikim të dytë të faktit nëse firmëtarët janë apo jo delegatë, por ka seleksionuar dhe formularë të plotësuar në mënyrë jo të rregullt edhe kur firmëtari ka qenë delegat. Në këto raste është rikthyer formulari për t'u plotësuar në mënyrë korrekte.

Në një intervistë të dhënë pak ditë më parë (pra përpara këtij “investigimit” të Fiksit) unë e kam deklaruar pikërisht këtë fakt, që firmëtarët kanë mbledhur rreth 5 mijë formularë, po këto janë verifikuar dhe seleksionuar paraprakisht dhe kanë konkluduar me ata 4200 formularë delegatësh.

Në ditën që unë ftova gazetarët në zyrën time për verifikim, (pasi drejtues të PD u shprehën që formularët nuk ekzistonin) ju kam deklaruar dhe paraqitur, përveç 4200 formularëve që u depozituan në zyrën time me datën 10 nëntor, edhe një dosje tjetër blu, ku janë formularë të ardhur pas kësaj date. Të gjithë formularët e ardhur e që vazhdojne të vijnë pas datës 10, po i administroj në dosje të veçantë pra, megjithëse dhe për ato kam kërkuar që të ndjekin të njëjtën rrugë seleksionimi.

Sa për konkretizim; jo më larg se dje, një nga deputetët më solli disa formularë të tjerë. Megjithese deputeti ka qenë dhe drejtuesi i degës deri pak kohë më parë dhe më konfirmoi qe i njeh dhe ka verifikuar personalisht firmëtarët, unë i kërkova që fillimisht t'i kalojë te grupi i punës dhe ata të m'i dërgojnë mua si në rastet e tjera.

Të gjitha këto kërkesa dhe verifikime nga unë janë bërë sepse mora përsipër përgjegjësinë e depozitimit të formularëve duke e ditur që do të kishte debate, do hidheshin dyshime të qëllimta dhe do bëhej kjo lojë që po bëhet për delegjitimimin e tyre.

Edhe një herë unë ju bej thirrje palëve, (po kryesisht palës që ka shprehur dyshimet ) nëse duan, le të caktojnë përfaqësues dhe të bëjnë verifikimin një për një të formularëve dhe të delegatëve që i kanë plotësuar. Nëse nuk kanë vullnetin ta bëjnë këtë, atëherë me 11 dhjetor, siç e kërkon procedura, Komisioni i Mandateve të Kuvendit do ta bëjë dhe këtë proces transparent për të gjithë. Vullneti i shumicës së demokratëve as nuk mund të injorohet e ca më tepër të denigrohet nga ata që duhet të përulen të parët përpara tij!