Vogëlushja Cleo: Burri i identifikuar gabimisht si rrëmbyesi, padit stacionin televiziv

Një burrë australian ka ngritur një padi për shpifjeje kundër njërit prej kanaleve më të mëdha të lajmeve në Australi pasi e identifikoi gabimisht atë si rrëmbyesin e dyshuar të fëmijëve. Fjala ishte për rastin e një fëmije të humbur që tronditi kombin, Cleo Smith, 4 vjeçe, e cila u shpëtua nga shtëpia e një të huaji më 3 nëntor.

Policia kishte akuzuar Terence Kelly për rrëmbimin e saj. Por disa orë pas arrestimit të tij, televizioni Seven publikoi gabimisht fotot e Terrance Flowers, një tjetër burri aborigjen.

Avokatët e tij thanë se televizioni kishte dëmtuar ndjeshëm karakterin dhe reputacionin e tij duke e keqinterpretuar atë si të dyshuarin kryesor.

Në nxitimin e saj pasi u gjet vogëlushja Cleo, televizioni kishte marrë katër foto nga llogaria e zotit Flowers në Facebook pa pëlqimin e tij - ku ai përdorte emrin e vajzërisë së nënës së tij Kelly.

Televizioni Seven më pas i publikoi ato në disa transmetime dhe një artikull lajmesh në internet e postimet në mediat sociale e identifikuan zotin Flowers me tituj të tillë si: "Foto: Njeriu i akuzuar për rrëmbimin e Cleo Smith".

Publikimi i fotografive nga Seven më 3 nëntor ishin gjithashtu imazhet e para të raportuara në publik të të dyshuarit për këtë çështje të rëndësisë së veçantë.

Televizioni u bë i vetëdijshëm për gabimin e tij në të njëjtën ditë të publikimit, pas së cilës i hoqi menjëherë fotot dhe kërkoi falje në internet dhe në transmetim të nesërmen: “Z. Flowers, vetë një baba i ri, nuk ishte në asnjë mënyrë i lidhur me rrëmbimin e Cleos dhe fotot e tij në Facebook nuk duhej të ishin përdorur”, tha rrjeti.

Por avokatët e zotit Flowers thanë se publikimi i kishte shkaktuar shqetësim të madh atij dhe familjes së tij: “Botimet nga Seven Network bënë që zoti Flowers të bëhej objekt i urrejtjes në mbarë vendin dhe botën dhe rezultoi në shtrimin e tij në spital me një sulm të rëndë paniku”, thanë avokatët e tij.

“Ky është një shqetësim i madh për zotin Flowers dhe familjen e tij që një kompani e madhe mediatike vazhdonte me një histori të këtyre përmasave pa qenë absolutisht e sigurt për saktësinë e saj. Efekti i këtij gabimi thelbësor ka qenë shkatërrues."