Autori nuk pendohet/ 'Ja ku e keni, e vrava dhe e groposa se më shau'

Nuk ka rezistuar shumë gjatë Klodian Çalamani, autori i vrasjes së 8-vjeçarit Mateo Vasiu, për të pranuar krimin e rëndë para efektivëve të policisë. Gazetari Spartak Koka ka raportuar gjatë një lidhjeje live në emisionin “Opinion” se Çalamani ka pranuar ta ketë bërë vrasjen dhe kjo sepse sipas tij, 8-vjeçari e ka sharë. Po ashtu, mësohet se autori nuk ka shfaqur pendesë për krimin e rëndë.

“Në marrjen në pyetje që i është bërë në Drejtorinë Vendore të Policisë në Fier, ka deklaruar se i dhashë biçikletën për të  luajtur, më shau, nuk e pranova këtë gjest dhe e goditam e vrava dhe doja të fshihja krimin. Ai nuk ka shfaqur pendesë. Ka deklaruar se do të vuajë burgun, tashmë le të vuaj burgun për këtë që kam bërë”, tha Koka.

Çalamani ka qenë personi i fundit që ishte parë në shoqërinë e 8-vjeçarit dhe për këtë arsye policia ka trokitur në derën e tij. Kur oficerët i shkuan në banesë e pyetën se çfarë dinte për zhdukjen e Mateos, ai iu përgjigj: Nuk di asgjë!

Por, sipas gazetarit Koka, toka e punuar në krahun e djathtë dhe një gjurmë gjaku shtoi dyshimet e policisë. Kur ata zbuluan trupin e tij të pajetë, Çalamani iu përgjigj: Po, ja ku e keni, e kam vrarë e kam groposur!