Propagandë me krimin horror/ Rama ‘lan duart’ si me ‘hëngshin kokat’

Përpara se të nisej për në Romë, duke parë zemërimin e përgjithshëm të opinionit publik për krimin monstruoz në Fier, ku një 38-vjeçar vrau një fëmijë, kryeministri Edi Rama improvizoi një konferencë për shtyp.

Ai foli përpara medieve si një shqiptar i zakonshëm, duke hequr çdo përgjegjësi nga vetja. Njësoj si komentuesit në rrjetet sociale, Rama tha se autori i krimit është barbar.

Asnjë fjalë për faktin se ku është katandisur Shqipëria gjatë këtyre tetë viteve, asgjë për gjendjen e shoqërisë, për mbrojtjen e fëmijëve, për shkollat, për ligjin, për policinë, për mbrojtjen e komunitetit, për ndihmën sociale, për spitalet, etj.

Kreu i qeverisë në një konferencë për shtyp tha se dënimi me vdekje nuk parandalon ngjarje të tilla. Sipas tij, legjislacioni shqiptar është i ashpër, por problem mbetet zbatimi i tij.

Se përse nuk zbatohet ligji në Shqipëri, kjo dihet qartë. Edhe pse Rama gjeti momentin të sulmonte sërish gjykatësit dhe prokurorët, shkaku kryesor për moszbatimin e ligjit në vend është qeverisja e keqe.

Rama përdori krimin monstruoz që të bëjë politikë duke kërkuar vazhdimin e vetingut dhe duke bërë kështu propagandë edhe me rastin e një morti të rëndë.

Njësoj si atëherë kur u tha shqiptarëve ‘hëngshi kokat tuaja’, teksa kishte shpërthyer vala e krimit, edhe këtë herë ‘lau duart’ përpara se të vijonte udhëtimet e shumta jashtë vendit.

Duke lënë pas një shkretëtirë ku njerëzit vriten më kollaj se pulat.