Vrasja dhe groposja e fëmijës/ Si ndodhi krimi që tronditi Shqipërinë

Një ngjarje e rendë, me përmasa makabre, është regjistruar në fshatin Grecalli të Fierit këtë të martë. Një 38-vjeçar ka rrëmbyer dhe më pas ka groposur Mateo Vasiun, 8-vjeç.

Klodian Çalamani, i arrestuar tashmë nga policia, rrëmbeu fëmijën e fqinjit rreth orës 9 të mëngjesit të së martës, kur i mituri po lëvizte me biçikletë. Pas kësaj autori e mbajti peng derisa e vrau dhe më pas e mbuloi me baltë në një cep të oborrit të tij. Burime për tvklan.al bëjnë të ditur se paraprakisht dyshohet se 38-vjeçari e vrau të miturin duke e goditur me lopatë dhe më pas e groposi.

Mungesa e fëmijës është vënë re nga nëna e tij Florida Vasiu, e cila ka nisur kërkimet deri në orën 15 e 30, dhe më pas ka sinjalizuar policinë. Këta të fundit pas administrimit të provave kanë bërë të mundur gjetjen e vendit të dyshuar ku mund të ndodhej fëmija i humbur. Pas kontrollit rezultoi se 38-vjeçari kishte mbuluar me baltë fëmijën e mitur. Autori i ndaluar nga policia është ka pranuar fajësinë e krimit, ndërsa policia shprehet po punon për të përcaktuar motivin dhe rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje.

Nga ana e ekspertëve të policisë do bëhet një këqyrje e trupit të fëmijës, në mënyrë që të zbulohet se nga çfarë është shkaktuar vdekja. Policia dyshon se autori është me probleme të shëndetit mendor, por nga këqyrja paraprake ka rezultuar se nuk ishte me kartelë, megjithatë, nga banorët njihej si i tillë.

38-vjeçari Çalamani është i njohur për policinë pasi dhe në vitin 2006 ka marrë peng një tjetër të mitur. Në atë kohë ai bashkëpunoi me një tjetër person, dhe mbajtën vajzën e mitur duke e torturuar për 20 minuta. Dy autorët u dënuan nga gjykata e Fierit me 4 vite burgim për veprën penale të heqjes së lirisë e kryer në bashkëpunim.