Rama për vrasjen e fëmijës në Fier: Barbari tronditëse, presim me padurim verdiktin e drejtësisë

Nga aeroporti i Rinasit, kryeministri Edi Rama ka dhënë një konferencë për shtyp përpara vizitës zyrtare në Romë për bisedime me kryeministrin italian Mario Draghi mbi thellimin e bashkëpunimit dypalësh mes Shqipërisë dhe Italisë.

Në këtë konferencë, dhënë në rrugë e sipër, Rama foli në veçanti për krimin makabër që ndodhi dje në fshatin Grecalli të Fierit, vrasjen e një fëmije tetë vjeç.

“E pangushëllueshme - tha Rama, - për prindërit, familjen e të afërmit dhimbja e humbjes tragjike të vogëlushit Mateo, nga Grecallia e Fierit, e cila tronditi mbarë shoqërinë pasditen e djeshme. Reagimi i menjëhershëm dhe shpejtësia e kapjes së autorit nga Policia e Shtetit, duhet medoemos të pasohen nga ndëshkimi më ekstrem i drejtësisë për autorin e barbarisë tronditëse.

Asgjë nuk e shlyen humbjen dhe lehtëson peshën e kësaj barbarie mbi zemrën e mendjen e nënës, babait e familjarëve të vogëlushit, por duke u shprehur atyre ngushëllimet më vëllazërore, presim me padurim verdiktin e merituar të drejtësisë,” u shpreh kreu i qeverisë.