'Më shau dhe e godita'/ Autori i krimit horror në Fier rrëfen si e vrau 8-vjeçarin

Klodian Çalamani ka rrëfyer të tjera detaje përpara grupit hetimor, për krimin monstruoz që kreu sot në fshatin Greçalli të Fierit. 

38-vjeçari vrau dhe lopatë dhe groposi një fëmijë 8-vjeçar.

Autori i krimit makabër ka deklaruar para policisë se: “Djali më ofendoi dhe e qëllova“.

Më herët në dëshminë paraprake Klodian Çalamani tha se djalin e kishte marrë në shtëpi dhe më pas e kishte groposur në oborr. 

8-vjeçari Mateo Vllasiu po luante me biçikletën e autorit dhe përpara se të ikte në shkollë kishte shkuar te shtëpia e tij për t'ia dorëzuar. 

Çalamani e ka marrë peng të miturin dhe pasi e ka mbajtur në shtëpi e ka goditur disa herë me lopatë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. 

38-vjeçari nuk e ka ndalur me kaq makabritetin e tij, por trupin e pajetë të të miturit e ka groposur përpara shtëpisë. 

Ka qenë e ëma e 8-vjeçarit ajo që ka ngritur policinë në këmbë kur i mituri nuk është kthyer nga shkolla. Nga kamerat e sigurisë së një biznesi ka rezultuar se Mateo Vllasiu ka shkuar me biçikletë te shtëpia e autorit dhe nuk ka dalë më prej aty. 

Në momentin kur ka mbërritur policia te shtëpia e Klodian Çalamanit ky i fundit është shfaqur nervoz, ndërsa pas marrjes në pyetje ka pranuar krimin horror. 

Në 2012 mori peng dhe dhunoi një vajzë të mitur
Klodian Çalamani është person me precedent kriminal. Në vitin 2012, ai së bashku me një person të quajtur Florian Vasiu nga fshati Grecalli, kishin rrëmbyer dhe torturuar një vajzë 16-vjeçare.

Florian Vasiu e pëlqente vajzën, por ajo nuk i përgjigjej, pasi ishte e lidhur me dikë tjetër. Pikërisht i dashuri i saj ka ndaluar të rinjtë dhe i kanë thënë që të mos e bezdisnin më vajzën. Ky veprim i të dashurit të vajzës ka acaruar të rinjtë, të cilët e kanë marrë peng dhe e kanë torturuar për 20 minuta.  

Floriani dhe Klodiani kishin planifikuar ndëshkimin e fqinjës së tyre të mitur, duke e kërcënuar se do t’ia shëmtonin pjesë të ndryshme të trupit të saj, pikërisht gjoksin, duke ia prerë me biçak.

Nga hetimet e Prokurorisë së Fierit ka rezultuar se për të arritur qëllimin e tyre, një prej të dënuarve, Klodiani, ka kërcënuar edhe motrën e tij, E. Çalamani, e cila është përdorur për të futur në kurth adoleshenten. Dy të rinjtë u dënuan nga Gjykata e Fierit, me nga katër vjet burgim për veprën penale të heqjes së lirisë të kryer në bashkëpunim, bazuar në nenin 110/2 të Kodit Penal.