'Betejë e Berishës për të mbrojtur Berishën'? Ish-kryeministri: Lëvizja për interesin kombëtar dhe PD-në

Lideri historik i demokratëve Sali Berisha u shpreh nga 'Foltorja' e Fushë Krujës se lëvizja e tij lindi për shkak të interesit kombëtar dhe për të mbrojtur Partinë Demokratike.

I pyetur nga sekretari i degës së FRPD në Fushë Krujë, Eraldo Stafuka nëse kjo është betejë e Berishës për Berishën, ish-kryeministri u përgjigj:  

'Berisha për Bershën është një tezë që peng-kryetari dhe zyra e kryeministrit e shpërndajnë me atë që e kam quajtur argati kryesor apo Baton Stanishiçi. Ai ka marrë përsipër të gjithë drejtimin e propagandës së peng-kryetarit. Nuk është absolutisht e vërtetë ajo. 

Në 2017 i kërkova Lulzim Bashës të jepte dorëheqjen. Refuzoi. Në 2021 nuk do t'i kërkoja dorëheqjen, por do të bëja gjithçka që të largohej. Rrethanat erdhën që do të bëja gjithçka të largohej. Nuk mbahet një njeri që ka regjistruar 4 humbje. Ai nuk përjashtohet nga partia, por nga udhëheqja duhet të ikë. Në datën 19 maj unë shpallem non grata, për korrupsion, pa asnjë fakt, asnjë dokument, asnjë provë apo akuzë, si askush tjetër në histori. Ata që janë shpallur non grata të gjithë kanë patur procese, Sali Berisha zero, e gjitha vepër e Soros. Me të cilin u përballa fuqishëm me të në emër të interesit kombëtar për kufijtë e Kosovës dhe Reformën e Drejtësisë. Me të cilën ky zotëri bëri gjithçka që drejtësinë ta shndërronte në degë të ekzekutivit të Edi Ramës, siç e ka shndërruar sot. Fuqia e Soros është e jashtëzakonshme. E dija që ka fuqi si askush tjetër përveç më të madhit. Nuk mund ta pranoja atë reformë. Doja të mbroja interesin tuaj, interesin kombëtar. Ajo reformë në vend që t'i japë vendit një drejtësi të pavarur nxori në krye të saj kunetarët, vëllezërit dhe ministrat e PS. A mund të pranoja që pas 30 vitesh kjo reformë nxori xhelatët e sigurimit të shtetit në krye të drejtësisë? Ju privoi ju nga e drejta për një proces gjyqësor si çdo qytetar europian? E dini që sot në Gjykatën e Lartë ka çështje nga viti 2013 të stivuara? Nuk është drejtësi kjo. Mafia e Soros është nga më të rrezikshmet. 

Nuk është e vërtetë që e bëra për Sali Berishën. E bëra për këto. Thash në 20 maj që heq dorë nga vendimi im për t'u rikthyer, por do të rikthehem për çdo funksion në harkun kushtetues të Shqipërisë. Vendosa të eci në një mënyrë të caktuar. Lulzim Basha në mënyrë antistaturore, çnjerëzore, çburrërore, më përjashton nga grupi parlamentar pa më thënë, në mënyrë të pabesë. Nesë Basha shkonte në Këshillin Kombëtar dhe ta votonte këtë, unë do të pranoja vendimin, por me Lulzim Bashën nuk do të pajtohesha si kryetar as para dhe as pas. Ka humbur 4 herë dhe duhet të ikë. Ndaj dhe statuti do të përcaktojë, kryetari që humb zgjedhjet duhet të ikë. 4 kryetarë ka ndërruar partia austriake simotër, dy herë e çuan në fitore. Sali Berisha e ka çuar çështjen në Gjykatë për shpifje, për të mbrojtur dinjitetin tim, për të mbrojtur interesin kombëtar, interesin shoqëror dhe për të mbrojtur PD-në nga zhdukja". 

Berisha vlerësoi rolin që pati në fushatë kryetari i FRPD, Belind Këlliçi, i cili në zonën e tij elektorale kishte përballë tre ministra dhe ia doli. 

"Ishte ylli i vërtetë i fushatës elektorale të PD, Belind Këlliçi. Ai bëri një fushatë ndaj tre ministrave".