Ish-futbollisti i Barcelonës merret në pyetje për incidentin ku u rrah futbollistja e PSG-së

Futbollisti i Barcelonës, Eric Abidal pritet të merret në pyetje nga policia, nën akuzën se ka marrë pjesë në një skandal të madh që tronditi futbollin francez.

Javën e kaluar, mediat franceze raportuan një lajm tronditës. Sipas tyre, futbollistja e PSG-së Aminata Diallo kishte urdhëruar rrahjen brutale të shoqes së skuadrës Kheira Hamraoui. Informacionet e para thanë se arsyeja ishte konkurrenca në ekip.

Hamroui u transportua në spital për shkak të plagëve në krahë dhe këmbë pasi dy autorë të këtij akti e nxorrën nga makina dhe e rrahën.

Mirëpo, “The Times” sjell informacione të reja: Eric Abidal do të merret në pyetje për këtë skandal pasi emri i tij është i lidhur me vetë rastin.

Kështu, u zbulua se karta SIM në telefonin e Kheira ishte në emrin e Eric Abidal dhe “Le Parisien” thekson se shkak për incidentin mund të jetë tradhtia bashkëshortore. Thuhet se Abidal dhe Hamroui kanë një marrëdhënie që është më shumë se miqësore dhe kjo do të thotë që Aminata Diallo, e dyshuar fillimisht, u shpall e pafajshme.

Ndërkohë Diallo është liruar nga paraburgimi dhe i është rikthyer aktivitetit sportiv.