Përgjimet e Taçit/ Braçe: Nuk flasin për mua, unë isha larguar nga posti

Deputeti Erion Braçe ka folur pas incidentit të ndodhur në Kuvend me deputetin Ervin Salianji. Sipas Braçes, reagimi i tij erdhi kur nisi të hidhej baltë mbi emrin e tij dhe kur u fol për lidhje mes tij dhe biznesmenit në kërkim Rezart Taçi.

Sipas Braçes ai nuk e njeh aspak biznesmenin dhe ka qenë një nga personat që ka denoncuar sistematikisht.

“Kam më shumë se 1 orë që diskutohet për etikë. Por etika në këtë sallë mori fund ditën kur i gjithë mllefi, urrejtja, u derdh mbi një fletë votimi që ishte emri i një gruaje. Rikthejeni ato pamje dhe do shihni se si mori fund etika që atë ditë. Unë erdha për të folur për buxhetin, kam folur vetëm për buxhetin. Kisha një qëllim për të folur për bujqit, siç e mendoj dhe e ndjej unë. Se sa i shqetësuar jam unë për bujqit, këtë s'e gjykon asnjeri në këtë sallë. Unë thashë atë që mendoj në lirinë time të plotë. Në këtë sallë, ka shpifës të dënuar nga gjykata. Madje jo shpifës së dënuar, por komplotues në kurriz të nderit, dinjitetit të njerëzve që janë në këtë sallë. E përsëritur, e përsëritur, natyrisht që ka një durim".

"Dokumenti i përgjimit të Rezart Taçit mban datën 18 tetor 2021. Atë dokument e zotëroj të plotë. Në 18 tetor 2021 unë nuk kam qenë zëvendëskryeministër. Që në shtator, roli im ka qenë thjesht i deputetit, që të jemi korrekt e të qartë. E di shumë mirë që në këtë sallë ka njerëz që paguhen për të shpërndarë akuza sa te njëri e te tjetri. Do e provoj që paguhen. Kjo histori me lojëra luftërash banale që ndodhin këtu, përfundojnë te dita e pagesës kesh. Mes meje dhe Taçit na ndan një oqean i madh. Unë me të s’kam folur kurrë. Unë nuk kam shkelur kurrë në televizionin e tij”, tha Braçe.

Pas fjalës së Braçes, që ai nuk ka asnjë lidhje me biznesmenin Taçi, Salianji vijoi dhe më tej akuzat, duke thënë se në dosjen e prokurorisë italiane është dhe një ministre e financave.

Pavarësisht akuzave, Salianji nuk dha emra konkretë.