Egjipt/ Stuhia fut akrepat nëpër shtëpi, mbi 500 persona të hospitalizuar nga pickimet

Më shumë se 500 njerëz janë hospitalizuar për shkak të pickimit nga akrepat në jug të Egjiptit, pasi stuhia bëri që këto krijesa të dilnin nga vendet e fshehura dhe të futeshin në shtëpitë e njerëzve, raportuan mediet shtetërore.

Gjatë fundjavës, provinca Aswan u godit nga një stuhi e rrallë shiu e breshëri, me ç’rast u shënuan tri viktima, tha guvernatori Ashraf Attia. Megjithatë, personave që u pickuan nga akrepat u është dhënë ilaç kundër helmimit dhe më vonë janë liruar nga spitali.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Khalid Abdel-Ghafar, konfirmoi përmes një deklarate se nuk ka të vdekur në grupin e personave të pickuar nga akrepat, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale shfaqën rrugë të vërshuara e shtëpi të dëmtuara. Mësimi në shkolla u pezullua, ndërsa në rajon u raportua edhe për ndërprerje të rrymës. U ndërpre edhe qarkullimi i barkave në Nil.

Nënsekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Ehab Hanafy, citohet të ketë thënë se mjekët janë thirrur nga pushimi vjetor dhe spitalet janë vënë në gjendje të lartë gatishmërie.

Ministria e Shëndetësisë e siguroi publikun se ka doza të mjaftueshme kundër helmimit dhe se mbi 3.000 të tilla i ka vetëm në Aswan. Hanafy tha se doza shtesë janë dërguar afër zonave malore e shkretinore.