Familja siriane vajton nga celulari, djalin emigrant që varrosej në kufirin Bjellorusi - Poloni

Trupi i një emigranti të ri sirian, i cili u mbyt teksa po përpiqej të kalonte një lumë në kufirin Bjellorusi-Poloni, u varros të hënën.

Varrimi i Ahmad Al Hasan, 19 vjeç, u bë në një varrezë të drejtuar nga komuniteti i vogël mysliman i Polonisë, në prani të një grushti dëshmitarësh. Ai u pasua nga një lutje në një xhami prej druri në fshatin Bohoniki.

Familja e Ahmadit mundi të merrte pjesë nga distanca, nëpërmjet telefonit të një mjeku sirian, i cili ka jetuar në rajon prej vitesh.

Adoleshenti kishte shpresuar të vazhdonte studimet që kishte filluar në një qendër refugjatësh në Jordani, tha Kasim Shady, duke folur në emër të familjes së tij nga Homs, i shkatërruar nga lufta dhjetëvjeçare e Sirisë.

Udhëheqësi i komunitetit lokal mysliman, Maciej Szczesnoëicz, tha se Ahmad Al Hasan ishte "një qenie njerëzore... një mysliman, një i ri" për të cilin ishte thelbësore "të jepej një varrim i denjë për emrin".

Szczesnowicz tha se adoleshenti - një nga 11 emigrantët që kanë vdekur që nga fillimi i krizës - vdiq teksa po përpiqej të kalonte Bug, lumin që rrjedh përgjatë kufirit midis Polonisë dhe Bjellorusisë.

Mijëra kilometra larg, trupi i një të riu tjetër që vdiq në kufi mbërriti në aeroportin e Irbilit në vendlindjen e tij në Irak herët të hënën.

Gaylan Delir Ismael, një 25-vjeçar nga rajoni i Kurdistanit, po përpiqej të arrinte në Gjermani me shpresën për të filluar një jetë të re dhe për të marrë trajtim për sëmundjet e tij kronike. Ai e kapi rastin kur dëgjoi irakianë të tjerë që po bënin rrugën për në Evropë nëpërmjet një vize turistike të marrë lehtësisht nga Bjellorusia.

Ai gjithashtu vdiq në një pyll të errët dhe të lagësht pranë kufirit Bjellorusi-Poloni. Rrethanat e konfrontimit në kufi që çuan në vdekjen e Gaylan, e cila ndodhi para ngritjes së fundit të trupave polake, janë të paqarta.

Arkivoli i Gaylan u mor me vete, së bashku me atë të një tjetër irakiani në të njëjtin avion.

Familja e Kurdo Khalid thotë se ai vdiq më 31 tetor nga një hemorragji në tru në kufi.

“Është vërtetë një tragjedi e trishtuar. I bëj thirrje të rinjve këtu që të mos migrojnë nga Kurdistani”, tha Bilal Khalid, i cili mori trupin e vëllait të tij në aeroport.

Të hënën grupe të mëdha emigrantësh u ulën pas gardheve me tela në anën bjelloruse të kufirit me Poloninë, ndërsa një bllokim i tensionuar i migracionit midis Varshavës, Minskut dhe Bashkimit Evropian vazhdoi.

BE-ja po bën thirrje për ndihmë humanitare pasi deri në 4,000 burra, gra dhe fëmijë kanë ngecur në kampe të improvizuara në mot të ftohtë në Bjellorusi, ndërsa Polonia ka përforcuar kufirin e saj me 15,000 ushtarë, përveç rojeve kufitare dhe policisë.

Ndërkohë, zyrtarët lituanez thanë se po shihnin një numër në rritje të përpjekjeve nga emigrantët për të kaluar kufirin e saj nga Bjellorusia.

Ministrat e Jashtëm të BE-së kanë zgjeruar shtrirjen e sanksioneve kundër regjimit në Bjellorusi nga ana tjetër.

Brukseli thotë se presidenti i diskutueshëm i vendit Alexander Lukashenko ka ftuar për muaj të tërë emigrantë në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk, shumë prej tyre irakianë, afganë dhe sirianë, me premtimin se do t'i ndihmojë ata përtej kufirit.

Lukashenko foli në telefon me kancelaren gjermane Angela Merkel të hënën, telefonata e parë e tillë midis autokratit bjellorus dhe një lideri të BE-së që nga represioni brutal që hasi në protesta masive në vazhdën e zgjedhjeve presidenciale të 2020-ës, të gjitha të konsideruara si të manipuluara.

Të dy udhëheqësit folën "në veçanti për nevojën për ndihmë humanitare për refugjatët dhe emigrantët" në kufi, tha zëdhënësi i Merkelit, Steffen Seibert. Ata ranë dakord të vazhdonin diskutimin e problemit, shtoi ai.

Agjencia shtetërore bjelloruse e lajmeve Belta tha se telefonata zgjati 50 minuta, pa dhënë detaje të mëtejshme.