Shpërtheu në gola me Anglinë, Harry Kane vihet në ndjekje të Bobi Çarlton dhe Runit

Harry Kane duket se ka lënë pas të gjithë telashet e Tottenhamit dhe është transformuar plotësisht me fanellën e Anglisë.

Sulmuesi ka shënuar 7 gola në pak ditë, ndaj Shqipërisë dhe San Marinos, duke vendosur rekorde të reja për futbollin anglez.

Ai mbylli vitin kalendarik 2021 me 16 gola të shënuar me përfaqësuesen, si askush më parë në historinë e saj, ndërsa duhet theksuar se 4 nga këto gola ia ka shënuar Shqipërisë (1 në ndeshjen në Tiranë, 3 në Londër), si dhe 4 San Marinos.

Golat e shënuar në javën e fundit i dhanë mundësinë atij që të bënte një hap të rëndësishëm në renditjen e të gjitha kohëve të përfaqësueses angleze, duke kaluar Xhimi Grivs e arritur Geri Lineker në vendin e tretë në kuotën e 48 golave me përfaqësuesen angleze.

Para tij janë vetëm dy emra të cilët mund t’i arrijë shumë shpejt me këto ritme, duke marrë i vetëm kreun.

Në vendin e dytë në renditjen e të gjitha kohëve është legjenda Bobi Çarlton, me 49 gola, ndërsa vendi i parë i përket Uejn Runit me 53 gola.