Duka bën premtimin madh: Do ta çojmë Shqipërinë në ‘EURO 2024’

Shqipëria do të shkojë në “EURO 2024”. Ky ka qenë premtimi i presidenti të FSHF-së, Armand Duka, në një postim në rrjetet sociale pas përfundimit të pjesëmarrjes së kuqezinjve në eliminatoret e Botërorit.

Duka i ka dhënë rëndësi të veçantë faktit se Shqipëria ka vendosur një rekord historik, ndërsa theksoi në postimin e tij se do të arrihej edhe objektivi madhor i këtij projekti, ai i kualifikimit në Europianin e radhës.

Postimi i plotë i Dukës

“Mbyllëm eliminatoret e Botërorit ‘Qatar 2022’, pas një fitore të mundimshme, por shumë të rëndësishme, ndaj Andorrës në Tiranë.

Përfunduam një rrugëtim përgjithësisht pozitiv ku si asnjëherë në histori siguruam 18 pikë. Morëm 6 fitore, rinovuam skuadrën, ju dha hapësirë elementëve të rinj dhe sot kemi një skuadër me një moshë mesatare ndër më të rejat.

Jemi gjithashtu koshient se paraqitja me Anglinë ishte shumë larg asaj që ne pretendojmë nga kjo skuadër, apo humbjet me Poloninë sollën zhgënjim të madh, por është koha të shikojmë me besim përpara.

Kemi hedhur baza të forta, kjo skuadër duhet mbështetur. Me punë, ashtu siç kemi treguar gjithmonë, ne do t’i arrijmë objektivat tonë, ato për të qenë protagonist në futbollin europian dhe për të çuar Shqipërinë në ‘Euro2024’”.