Kanceri: Yndyra e rrezikshme që nxit metastazat

Një studim i publikuar në Nature zbulon se acidi palmitik - një lloj acidi yndyror që gjendet në dietë - modifikon gjenomën e kancerit , duke rritur shanset për metastaza. 

Studiuesit kanë filluar të zhvillojnë trajtime që ndalojnë këtë proces dhe raportojnë se provat klinike do të fillojnë në vitet e ardhshme.

 Acidet yndyrore janë blloqet ndërtuese të yndyrës në trup të cilat ndonjëherë rrisin metastazat.

 Megjithatë, deri më tani, mekanizmi i saktë dhe nëse të gjitha acidet yndyrore kontribuojnë në metastazë nuk ishte i qartë.

 

Gjetjet e reja nga shkencëtarët në Institutin për Kërkime Biomjekësore (IRB) në Barcelonë zbulojnë se një acid yndyror i tillë që gjendet zakonisht në vajin e palmës , i quajtur acidi palmitik, nxiti metastazën në kancerin oral dhe melanomën te minjtë. 

Acidet e tjera yndyrore, si acidi oleik dhe linoleik që gjenden në ushqime të tilla si vaji i ullirit dhe farat e lirit, nuk treguan një efekt të ngjashëm dhe asnjë nga acidet yndyrore të testuara nuk rrit rrezikun e zhvillimit të kancerit në një fazë të hershme.

Hulumtimi zbuloi se kur acidi palmitik u përfshi në dietën e minjve , ai jo vetëm që kontribuoi në metastaza , por gjithashtu kishte efekte afatgjata në gjenom. 

Gjithashtu , qelizat e kancerit që kishin qenë të ekspozuara ndaj acidit palmitik dietik për një kohë të shkurtër mbetën shumë metastatike edhe kur acidi u hoq nga dieta e tyre.

Studiuesit zbuluan se kjo "kujtesë" shkaktohet nga ndryshimet epigjenetike , të cilat modifikojnë funksionin e qelizave kancerogjene metastatike dhe i lejojnë ato të formojnë një rrjet nervor rreth tumorit në mënyrë që të komunikojnë me qelizat në mjedisin e tyre të afërt dhe të përhapen më lehtë. 

Duke kuptuar natyrën e këtij komunikimi , studiuesit kanë zbuluar një mënyrë për ta parandaluar atë dhe tani po planifikojnë një provë klinike në përpjekje për të ndaluar metastazat në kancere të ndryshme.

“Është shumë herët për të përcaktuar se çfarë lloj diete duhet të ndjekin pacientët me kancer metastatik për të ngadalësuar procesin e metastatizimit. Bazuar në rezultatet tona, mund të konsiderohet se një dietë e ulët në acid palmitik do të ishte efektive , por nevojiten shumë më tepër kërkime për ta vërtetuar këtë," tha profesor Salvador Aznar-Benitah, autori kryesor i studimit.