I hapi rrugë borxhit të Ramës, Basha ankohet: Miliona euro për zyra

Për kryetarin e opozitës, Lulzim Basha, buxheti i prezantuar nga kryeministri Edi Rama edhe njëherë synon të vendoset në mënyrë tinëzare në funksion të klientëve të pushtetit dhe jo të qytetarëve të thjeshtë.

Sipas Bashës, asnjë nga shoqatat e sipërmarrjes nuk e mbështet këtë buxhet që do të shtojë më tej varfërinë në vend.

“Buxheti i shtetit reflekton atë çfarë një qeveri është. Vizionin apo mungesën e vizionit të një qeverie.  Këtu thënë me fjalë të thjeshta vendosin se si dhe sa do të shtrydhin nga xhepat tuaja dhe cfarë do të bëjnë me këto para. Deputetët e PD kanë argumentuar kundërshtinë në komisione për këtë buxhet. Nuk kemi qenë të vetmit në këtë kundërshtim. Të qartë kanë qenë prodhuesit, sipërmarrja e vogël, dhomat e tregtisë. Nuk ka një shoqatë të sipërmarrjes ta ketë përqafuar këtë buxhet. Më të qartë e ka shqiptari i thjeshtë, ai që sheh përtej kësaj salle.

Një spirale largimi vijon ditë pas dite prej 8 vitesh. Fletët e printuara që vijnë këtu nuk reflektojnë asnjë nga hallet e qytetarëve. 51% e shqiptarëve janë në rrezik varfërie sipas Eurostat. BB thotë që vitin e kaluar iu shtuan 112 mijë të varfër. Këto nuk janë numra por jetë të shkërmoqura në librat e një qeverie që i bën llogaritë pa ta. Nuk ka nevojë të jesh ekonomist që të kuptosh se si këta këmbëngulin ta vendosin buxhetin në funksion të klientëve të qeverisë nëpërmjet të PPP që bëjnë motin e mirë dhe të keq në ekonominë shqiptare”, tha Lulzim Basha.

Basha thekson se 113 milionë euro do të shkojnë për PPP, e ndërsa familjet shqiptare mbeten në harresë, të braktisur nga shteti. Basha foli edhe për krizën energjitike, të cilën ai e quan një krizë korrupsioni nga ana e qeverisë.

Më tej kryedemokrati tha se do të shpenzoheshin plot 51.2 milionë euro për mobilime zyrash dhe fasada.

Por kujtojmë se para pak javësh, vetë Basha dhe deputetët e tij u hapën rrugën marrjes së 700 milionë eurove borxh, të cilat sipas Bashës tani do shkojnë për PPP dhe mobilizime zyrash.