Tirana e gjymtuar, Shehi në ankth për kthimin e titullarëve

Tirana është zvogëluar edhe më shumë në stërvitje pas kthimit të Kombëtares nga Anglia, pasi trajneri Edi Reja ka thirrur sulmuesin Taulant Seferi.

Kështu që sot trajneri, Orges Shehi nuk do të ketë në stërvitje as sulmuesin e momentit. Në prag të derbit të Kupës, ku kërkohet një kualifikim me përmbysje, është shtuar ankthi për kthimin e titullarëve nga grumbullimet e Kombëtareve.

Portieri Bekaj është pjesë e Kosovës, Totre me Maqedoninë e Veriut. Seferi dhe Hoxhallari mund të marrin minuta sot ndaj Andorrës dhe i bashkohen ekipit një ditë para derbit.

Ismajl Geci luan nesër me Shpresën dhe normalisht i bie që të bashkohet me ekipin ditën e ndeshjes.

Për të plotësuar misionin në Kupë, shpresohet që 5 titullarët e grumbulluar me Kombëtaret të kthehen pa probleme në familjen bardheblu.