Rama prezanton buxhetin: Do jetësojmë vizionin ‘Shqipëria 2030'

Ka nisur në Kuvend seanca maratonë, ku do të diskutohet në lidhje me projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, ku fjalën e ka marrë kryeministri Edi Rama, për të prezantuar të gjithë programin.

Sipas Ramës ky është një buxhet i ndërmjetëm, që synon të lërë pas krahëve dy vitet e vështira të ndikuara nga fatkeqësitë natyrore të tërmetit dhe të pandemisë së Covid-19.

Rama bëri një prezantim të të gjitha zërave të buxhetit dhe rritjet që do të ketë secila prej tyre.

“Ky është buxheti i parë i mandatit tonë të tretë dhe kapitulli i parë i planit për të jetësuar vizionin ‘Shqipëria 2030’. Është një buxhet i ndërmjetëm mes fazës së imponuar të emergjencës së shkaktuar nga dy fatkeqësi të mëdha natyrore dhe fazës së re të adresimit të ambicies për arritjen e një niveli të ri zhvillimi në dekadën që kemi hyrë. Skema e këtij buxheti është dëshmi e një arritjeje domethënëse të këtyre dy viteve tejet të vështira.

Për të mbetur ambiciozë për të nesërmen gjatë kurimit të dy plagëve të rënda të së sotmes. Siç flet qartë dhe ky buxhet asnjë sektor, aspo reformë nuk është lënë pas dore dhe me këtë buxhet të ndërmjetëm pavarësisht dhe krizës së energjisë rrisim financimin për të mbështetur njerëzit, kategoritë më në nevojë, forcat e punës, fëmijët, nxënësit, të rinjtë, shërbime publike. injektojmë financime të konsiderueshme".

Në fjalën e tij, kryeministri Rama u shpreh se me këtë buxhet do të vijojë rritja e pagave, pensioneve, ndërsa do të dyfishohet ndihmë ekonomike për disa kategori.

“Skena e këtij buxheti është dëshmi e një arritjeje domethënëse e këtyre dy viteve të vështira. Për të mbetur ambicioz për të nesërmen gjatë kurimit të dy plagëve. Ky buxhet flet qartë se asnjë sektor dhe reformë nuk është lënë pas dore. Me këtë buxhet të ndërmjetëm rrisim financimin për të mbështetur njerëzit e këtij vendi, kategoritë më në nevojë, injektojmë financime të konsiderueshme në ekonominë familjare, zerojmë taksën mbi pagat deri në 40 mijë lekë, duke lehtësuar 87 mijë punonjës, përgjysmojmë taksën mbi pagat nga 400-500 lekë, duke lehtësuar gati 60 mijë punonjës të tjerë, rrisim pagat për mësuesit, mjekët, infermierët me 6%, në bazë të planit të rritjes së tyre vit pas viti deri në 40% në fund të mandatit të tretë.

Rrisim pagat në një bonus të posaçëm deri në 150% për punonjësit e policisë që shërbejnë larg banimit, rrisim pagat me 30% për efektivët e FA, nuk rrisim asnjë taksë mbi asnjë kategori. Do të trefishojmë ndihmën ekonomike për gratë e trafikuara dhe fëmijët jetim nën 18 vjeç, dyfishojmë ndihmën ekonomike për rreth 15 mijë familje që kanë 3 ose më shumë fëmijë, rrisim me 10% ndihmën ekonomike për pjesën tjetër të familjeve”, u shpreh Rama.

Rama tha se prioritet i qeverisë është Shqipëria dixhitale dhe se për këtë është parashikuar një pjesë e buxhetit 2022. Ai tha se të gjitha shërbimet qytetarët shumë shpejt do i marrin përmes telefonit të tyre që do të shmang korrupsionin në administratë.

"Duke garantuar një bazë mbi të cilën edhe njësia antikorrupsion e ministrisë së Drejtësisë ka hyrë në një fazë të re. Ajo çka ne do të garantojmë në vijim dhe është ambicja e këtij mandati është që të sigurohet jo vetëm mbyllja përfundimtare e të gjitha sporteleve në Shqipëri që ofrojnë shërbime dhe kontakte të drejtpërdrejta me punonjësit e administratës që më pas futet ryshfeti dhe vjen vonesa, po edhe për të garantuar që përfundimisht qytetari të bëjë kërkesën dhe i gjithë dokumentacioni që duhet për të marrë një shërbim , të garantohen brenda përbrenda sistemit të digjitalizuar të shtetit. Të mos ketë më qytetar që duhet të shkon në 7 dyer për të bërë gati dosjen për të marrë një certifikatë.

Kadastrat digjitale është edhe ajo duke u bërë, e dimë të gjithë se çfarë plage është ajo. Me digjitalizim përfundimtar edhe kadastra do të jetë një institucione i aksesueshëm përmes smartphone-it dhe pa sportele. Qendra digjitale  e qarkullimit rrugor është bërë me makina inteligjente, por do të shtrohen edhe kamerat inteligjente për të pasur të dhëna në kohë reale të qarkullimit. Do të financohen në mënyrë të posaçme duke krijuar një qendër të mbrojtjen kibernetike të të gjitha sistemeve tona të komunikimit teknologjik. Të gjitha të dhënat e shtetit do të kenë një sistem backup, që çfarëdo të ndodhi të mos ketë asnjë humbje të të dhënave", tha Rama.