VIDEO/ Iu ndalua edhe mbledhja e bidonëve, më fukarenjtë e Vlorës ngrihen në protestë: Duam punë!

Ndërkohë që Kryeministri i vendit Edi Rama ka nisur prezantimin e Projekt-Buxhetit 2022 në Kuvend, më të mjerët ndër më të varfrit në Shqipëri, banorë të komunitetit rom në Vlorë kanë dalë në një protestë përpara bashkisë së Vlorës për kushtet e vështira të jetesës dhe lënien në harresë nga shteti. 

Protesta e tyre ka ardhur pasi nga sot, ata nuk do të lejohen më të mbledhin mbetje plastike, bidonë etj. pasi ato do të çohen në landfillin e ri që po ndërtohen në Sherishtë.

Kjo do të thotë se ata pak që shikojmë në video, që guxuan, nga dita e sotme mbeten thjesht pa bukën që e blejnë me disa monedha që u japin për bidonët plastikë e kanaçet që mbledhin duke u futur nëpër koshat e mbeturinave disa herë në ditë, me gjithë fëmijë e madje edhe duke fjetur pranë këtyre koshave sepse aty nxjerrin bukën.

Këtij komuniteti që e nxjerr ushqimin e ditës nga mbledhja e e plastikës, tashmë ia kanë hequr edhe kafshatën me një urdhër.

Ata kanë mbetur edhe pa këtë të rëndomtë, në mëshirë të fatit, psi nëse do të dalin nëpër rrugë për të mbledhur bidonët plastikë si më parë, do të gjobiten nga Policia Bashkiake.

Një nga protestueset e komunitetit egjiptian, e revoltuar, tha se nëse Kryetari i Bashkisë së Vlorës nuk del as që t’i takojë se si do t'u vejë halli pas kësaj familjeve të tyre, 'do t’i vërë flakën' bashkisë dhe nuk do të largohej.