Ç’m’u kujtua Besnik Dizdari

Ka ca ditë që po e kujtoj shpesh herë Besnik Dizdarin ikonën e gazetarisë sportive. Më ndodh sa herë del Lul Basha në tv, në fb apo në twitter. Sidomos kur ngrys vetullat, apo ngre zërin dhe nis e dërdëllit. Quhet dërdëllit nga që deri tani në asnjë palë zgjedhje nuk e ka kaluar stekën. Madje dhe atëhere kur e këndoi Himnin stonoi aq keq sa plot rreth tij iu lutën të ulte zërin.

Po pse e solla ndër mend Besnikun? Ç’lidhje ka ai me Lulin? Ku puqen?

Në fakt nuk puqen askund. Se Dizdari ka në cv e tij veç arritje dhe maja. Lul mavria mbushur me humbje. Po pse e kujtoj atëhere? Se mjeshtër Dizdari gjatë jetës së tij profesionale kishte parime të shenjta. Një nga këto e demonstroi vite më parë e qysh atëhere u bë leksion. Ja si ndodhi.

Kur ishte kryeredaktor i gazetës “SPORTI”, i sollën ca miq të tij një njeriun e tyre, një çun të ri për të punuar gazetar te Besniku. Pas ca ditësh që u provua Besniku i njoftoi se çuni nuk ia kishte fare haberin për shkrime.

-Merre se është çun i mirë!- i thanë.

-Merre se është i sjellshëm-iu lutën.

Kur nisën t’i tregonin se është me vullnet, merret dhe me punët e shtëpisë, madje edhe gatuan mirë, atëhere Besniku u nervozua:

-Ore, ju po ma sillni ta bëj dhëndër për motrën në shtëpi apo gazetar që të mbushë faqet e medias sime e ta lexojnë mijëra njerëz?!

E ja ku lidhet me Lulin. Erdhi te PD, mori plot poste, madje arriti deri kryetar. Ndenji plot vite në krye e hiç përpjetë. Sipas mësimit të Besnikut ky duhet të kishte ikur me vrap qysh vite më parë. Se demokratët nuk e zgjodhën për dhëndër, por për prijës. Nuk e zgjodhën për bojën e flokëve dhe të qeshurën plot nur. Prisnin aksione dhe vepra prej tij.

M’u kujtua Besnik Dizdari që shporri prej zyre atë çunin  që s’dinte të shkruante, por ama ia thoshte për gatim. Shpresoj më 11 dhjetor do shpëtojë dhe PD nga djali që di vërtet të gatuajë, ama partinë e shfrytëzoi si...krevat.