VIDEO-SYRI TV/ Tensionet në Bosnje, Mediu rezolutë në Kuvend: Ka rrezik për luftë…

Kreu i PR-së Fatmir Mediu u shpreh se së bashku me një grup deputetësh kanë dorëzuar në Kuvend një projekt-rezolutë që shpreh shqetësimin për gjendjen e krijuar në Ballkan, nisur nga situata në Bosnje. Ai kërkoi që rezoluta të marrë miratimin edhe të shumicës qeverisëse.

“Kemi menduar të paraqesim në Kuvend një rezolutë të cilën do të diskutojmë me të gjitha partitë që të arrijmë në një rezolutë të plotë për të njësuar një qëndrim mbarë-shqiptar në raport me zhvillimet në Ballkan. Është një situatë shqetësuese.

Duhet të konsultohemi me partnerët. Rezoluta thekson se “Kuvendi duke ndjekur tensionet me rrezikshmëri të lartë për ringjalljen e konflikteve të përgjakshme që janë të lidhura me Serbinë', tha Mediu.

Rezoluta përmban 5 pika drejtuar qeverisë shqiptare, ku ndër të tjera i kërkohet që këtë shqetësim ta përcjellë në institucionet ndërkombëtare si NATO, OSBE apo edhe Këshillin e Evropës.

“Me kolegun Bujar Leskaj, Isuf Çelaj, por dhe shumë të tjerë kemi menduar që të paraqesim në Kuvendin e Shqipërisë një projekt rezolutë, të cilën do ta diskutojmë me të gjithë përfaqësuesit e partive politike në mënyrë që të arrijmë në një rezolutë të plotë, të përfaqësojmë qëndrimin e parlamentit dhe të forcave tona politike, për të njehsuar një qëndrim mbarëshqiptar në raport me zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit. Është një situatë shqetësuese që duhet të na bëjë të jemi të gjithë në një zë, në një qëndrim, në një frymë bashkëpunimi dhe konsultimi dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë”, deklaroi Mediu.

5 kerkesat drejtuar qeverise shqiptare

1-Të ngarkojë qeverinë e Shqipërisë në këshillim me partnerat tanë që të adresojë këtë problematikë në NATO

2- Përmes delegacioneve të veta në NATO, OSBE, KIE, dhe institucione të tjera ta shpërndanë këtë rezolutë dhe ta bëjë objekt debati.

3- I kërkon qeverisë si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit në OKB të përcaktojë objektivat për rajonin dhe Kosovën.

4- Të shtohet mbështetja për integrimin e Kosovës në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare duke shpjeguar se lënia e këtij shteti jashtë ekspozon atë dhe rajonin përballë kërcënimeve ruso-serbe dhe destabilizimit të Ballkanit

5-Ka ardhur koha të zhvillohet një forum ndërparlamentar  Shqipëri, Mali i Zi, Kosovë dhe Maqedonia e Veriut me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike parlamentare shqiptare.