Krismat e Dumës/ Spaho: Ia ke thënë Berishës këto? Se në zyrën e tij ke qenë çdo ditë

Deklaratat e guximshme të zonjave të bukura të PD-së, dhe natyrisht edhe të zgjuara, si Grida Duma, kundër regjimit që ka vendosur Edi Rama, kanë shkuar edhe më përtej asaj që parashikohej.

Mbrëmjen e së premtes, Duma dëshmoi se di të godasë po aq fort edhe brenda radhëvë të partisë, ku evoloi si politikane në krah të liderit historik Sali Berisha dhe kryetarit Lulzim Basha, të godasë, pasi nuk njihet publikisht që nënkryetarja e PD-së të ketë debatuar, kundërshtuar, përballur me vendimet e tyre.

 Ajo u shpreh në emisionin “Real Story”  “unë e kam thënë që statura e Berishës nuk përkon me kostumin e deputetit. Mënyra se si ka bërë opozitë Berisha është edhe ekstraparlamentare. Nuk ka qenë petku i deputetit që e ka bërë të rëndësishëm në PD atë. Kjo po shkonte në absurd sepse kryetari i PD duhej të krijonte profilin e tij.

Lulzim Basha ka pasur betejën të godasë tek demokratët me një profil dhe lidership ndryshe nga Berisha i cili ishte i paprekshëm. Ka një paradosks të madh. Ai nuk mund të ishte thjesht një deputet. Ai vetë në kushtet e në politikani me përvojë të gjatë duhej të bënte një hap pas nëse do të donte që Basha të kishte peshën totale të vendimeve.”

Duma shtiu edhe ca më larg akoma: “Që në listën e 2021-it nuk duhet të ishte Berisha, sepse e ka tejkaluar kostumin e deputetit.”

Jo media, por një njeri dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Dumës deri dje, ish-kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho, i ka bërë sot një pyetje me qetësi: “Ia ke thënë Berishës këtë? Sepse deri në 25 Prill 2021 në zyrë të Berishës ke qënë çdo ditë”.