Maqedoni e Veriut/ Dështon mocioni i mosbesimit, mbijeton qeveria e Zoran Zaev

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në seancën plenare, në prani të kryeministrit Zoran Zaev dhe ministrave, konstatoi se nuk është votuar mocioni i mosbesimit të Qeverisë.

Pasi nuk siguruan kuorumin nga 61 deputetë për ta rrëzuar Qeverinë, nga Kuvendi fillimisht u larguan dorëzuesit e nismës për mocionin e mosbesimit, deputetët e VMRO-DPMNE-së, e më pas edhe ata të shumicës qeverisëse.

“Duke marrë parasysh faktin se nga momenti i vendosjes së pyetjes për besimin e Qeverisë dorëzuar nga opozita me 61 deputetë, duhet të prononcohet Kuvendi për tri ditë, kurse dita e tretë në këtë moment është duke kaluar, gjatë kësaj rendi i ditës nuk është votuar dhe nuk mund të hapet debati për besimin e Qeverisë. Konstatoj se mosbesimi nuk është votuar” – tha kryeparlamentari Talat Xhaferi.

Xhaferi, paradite, pasi filloi seanca, braktisi sallën e Kuvendit që të mos i krijojë kuorum opozitës. Me seancën, që praktikisht as që filloi, por vetëm disa herë deputetët u grumbulluan dhe kërkuan ndërprerje një orëshe, e kryesoi zv/Kryeprlamentari, Fadil Zendeli nga Besa.

VMRO-DPMNE-ja së bashku me deputetët e Besës, ASH-së, Alternativës dhe së Majtës u përpoqën të sigurojnë 61 deputetë për të votuar mosbesimin e Qeverisë. Në seancë nuk shkoi deputeti i Besës, Kastriot Rexhepi, çka bëri që opozita të mos plotësonte kuorumin për mbajtjen e seancës.

Pas më shumë se dhjetë orë në Kuvend dhe disa përpjekjeve të fillojë seanca parlamentare, Grupi Parlamentar i VMRO-DPMNE-së u largua nga Kuvendi në orën 21:30. Deputeti dhe Nënkryetari I VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikoloski tha se “kjo ditë do të mbetet e shkruar në faqen e zezë të historisë maqedonase me çka u shkelën demokracia me rrëmbimin e deputetit”.

Ai tha se zgjidhja për këtë situatë janë zgjedhjet e shpejta të parakohshme parlamentare, kurse qëndrime më të detajuara partiake paralajmëroi për të premten, pas koordinimit në parti.