‘E mori drejtimin e PD me dredhi’/ Shano: Lulzim Basha, ‘berishisti’ numër 1

Për analistin dhe anëtarin e Këshillit Kombëtar të PD, Dritan Shano, Sali Berisha ka 50 me 50 shanse për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike, megjithëse parashikon një luftë që do të zgjasë gjatë mes tij dhe Bashës.

I ftua në studion e A2, Shano e konsideroi Lulzim Bashën si “berishistin numër 1” që e mori vulën e partisë me dredhi të përdorura nga vetë ish-kryeministri.

Shano: Probabiliteti që Berisha të jetë në krye të PD është 50 me 50. Një probabilitet goxha i madh, duke llogaritur tërheqjen e PD dhe zëvendësimin e tij me një zgjatim të tij, Berishistin numër 1 e quaj unë, i cili në këto 16 vitet e fundit ka qenë njeriu më i përkëdhelur nga Sali Berisha deri sa doli dhe recitoi një vjershë dhe tha që po e përjashtoj nga grupi. Do shkojë gjatë kjo gjë. Siç Berisha i ka hyrë me vrull për të vendosur veten në tavolinën e pushtetit, ky është sherri i krevatit mes të dyve pavarësisht paketimit parimor që i është bërë dhe nga ana tjetër Basha do luftojë fort që të mos e lëshojë vulën që e mori me një dredhi ala Berishë.